Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka cilësuar si “shqetësues” raportin e publikuar nga pesë qeveri evropiane, sipas të cilit kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, është vrarë me helm.
Franca, Gjermania, Holanda, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar deklaruan se analizat e tyre tregojnë se Rusia e helmoi Navalny-n me një toksinë të nxjerrë nga një bretkosë helmuese me shigjetë, çka sipas tyre çoi në vdekjen e tij në një koloni penale dy vjet më parë. Moska i ka hedhur poshtë kategorikisht këto akuza.
Duke folur për gazetarët gjatë një vizite në Sllovaki, Rubio tha se SHBA-të janë në dijeni të raportit dhe nuk kanë arsye ta vënë në dyshim. “Është një raport shqetësues. Jemi në dijeni të rastit të zotit Navalny dhe nuk kemi asnjë arsye ta kontestojmë atë,” u shpreh ai.
I pyetur pse Uashingtoni nuk iu bashkua deklaratës së përbashkët të pesë vendeve evropiane, Rubio theksoi se fakti që SHBA-të nuk nënshkruan deklaratën nuk do të thotë se nuk pajtohen me përfundimet. “Ato vende arritën në atë përfundim dhe e koordinuan mes tyre. Kjo nuk do të thotë se ne nuk pajtohemi me rezultatin,” shtoi ai.
Vizita e Rubios në Sllovaki dhe Hungari synon forcimin e lidhjeve me dy vende anëtare të BE-së që shpesh janë përplasur me Brukselin dhe liderët e të cilave konsiderohen të afërt me administratën e presidentit amerikan Donald Trump. Në kuadër të këtij turneu, Rubio pritet të zhvillojë takime me kryeministrin sllovak Robert Fico dhe homologun e tij hungarez Viktor Orbán.

