Rusia ka vijuar ofensivën ushtarake ndaj Ukrainës, duke shënjestruar gjatë natës një termocentral të rëndësishëm. Sipas kompanisë private DTEK, që operon objektin, sulmi ka shkaktuar dëme serioze në pajisjet elektrike, duke ndikuar në furnizimin me energji.
“Pajisjet elektrike kanë pësuar dëme serioze. Ekipet tona po punojnë për të rivendosur operacionet dhe për të siguruar furnizimin me energji elektrike në Ukrainë,” thuhet në njoftimin e kompanisë.
Ndërkohë, presidenti Vladimir Putin ka mbrojtur publikisht vendimin për pushtimin e Ukrainës, duke e cilësuar si “të drejtë dhe të kohës”.
“Vendimet e marra në shkurt 2022 ishin të sakta dhe në kohën e duhur,” deklaroi Putin gjatë një takimi me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë.
Kreu i Kremlinit pretendoi se gjatë këtij viti forcat ruse kanë “çliruar” rreth 5,000 kilometra katrorë territor dhe 212 vendbanime në Ukrainë — pretendime që Kievi i konsideron propagandë dhe të pavërteta.
Sulmet e fundit ndaj infrastrukturës energjetike pritet të rëndojnë më tej gjendjen e sistemit elektrik të Ukrainës në prag të dimrit.