Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se përfundimi i luftës në Ukrainë brenda vitit 2025 është i mundur, edhe pse mbetet e vështirë për t’u parashikuar. Në një intervistë për El Pais dhe grupin gjerman RND, Rutte theksoi se ndarja e vizionit me Presidentin Trump për t’i dhënë fund konfliktit është e plotë.
“Sigurisht që është e mundur. Të gjithë duam që kjo luftë të marrë fund sa më shpejt. Do të bëj gjithçka për të ndihmuar në realizimin e vizionit të Presidentit Trump. Kjo masakër duhet të përfundojë,” tha ai.
Sipas Rutte-s, humbjet e Rusisë janë masive: rreth një milion të vrarë ose të plagosur rëndë, ndërsa vetëm këtë vit Moska ka humbur rreth 20 mijë ushtarë çdo muaj. Ai theksoi se këto janë “baballarë dhe bij që vdesin pa fituar pothuajse asnjë territor”.
Pokrovsku, shembulli i ngecjes ruse
Rutte kujtoi se Rusia ka tentuar të pushtojë Pokrovskun për 18 muaj, por ende nuk e kontrollon tërësisht qytetin. Sipas tij, Rusia këtë vit ka avancuar vetëm 1% të territorit ukrainas, me progres minimal “disa metra në ditë”.
“Më shumë rusë kanë vdekur duke u përpjekur të marrin Pokrovskun sesa ukrainas që jetonin fillimisht aty,” tha shefi i NATO-s.
Ai shtoi se procesi i paqes do të kërkojë rund të ri negociatash pas bisedimeve të Gjenevës, si dhe diskutime të ndara e paralele me BE-në dhe NATO-n për çështje specifike.
Reagimi i Kremlinit
Moska ka dhënë një përgjigje të shkurtër, por domethënëse. Këshilltari për Politikën e Jashtme në Kremlin, Yuri Ushakov, i pyetur nëse Rusia e sheh të mundshëm mbylljen e luftës brenda vitit të ardhshëm, tha:
“Ne do të donim.”

