Në Kopenhagen të Danimarkës po zhvillohet Samiti i 7-të i Komunitetit Politik Evropian, ku po marrin pjesë udhëheqës nga gjithë Evropa, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këtë takim janë të pranishëm liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 22 vendeve të tjera. BE-ja përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili e bashkëkryeson samitin me kryeministren daneze, Mette Frederiksen.
Diskutimet e samitit po fokusohen tek mbështetja për Ukrainën, siguria në Evropë dhe përforcimi i stabilitetit në një kontekst gjeopolitik të tensionuar. Në rendin e ditës përfshihen gjithashtu kërcënimet tradicionale dhe hibride, siguria ekonomike dhe çështja e migrimit.
Agjenda e ditës nisi me mbërritjen e liderëve në orën 08:15, pasuar nga hapja e seancës plenare në 10:00. Në orën 11:30 është planifikuar fotoja familjare, ndërsa më vonë mbahen tryeza të rrumbullakëta dhe takime bilaterale. Samiti do të përmbyllet me seancën e fundit në orën 15:00.
Ngjarja zhvillohet një ditë pas takimit joformal të Këshillit Evropian, i cili kishte në fokus të njëjtat çështje. Mbrëmjen e kaluar, liderët morën pjesë në një darkë solemne të organizuar nga Mbreti Frederik X dhe Mbretëresha Margrethe II në Pallatin Amalienborg.
Ky samit pason atë të gjashtin, i cili u mbajt më 16 maj në Tiranë me temën “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.