Javën e ardhshme pritet të mbahet një samit i rëndësishëm për Ukrainën në Emiratet e Bashkuara Arabe, mes tensioneve diplomatike dhe luftimeve të pandërprera në front. Dyshimet në qarqet ndërkombëtare janë shtuar mbi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin po përgatit një “blof” politik ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke synuar të shtyjë përpara planin e tij të luftës pa praninë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas “La Repubblica”, Kremlini po këmbëngul që samiti të mbahet pa Ukrainën, një kërkesë që Trump e ka refuzuar qartë duke deklaruar: “Nuk ka takim me Putin pa prezencën e Zelenskyt.” Megjithatë, përgatitjet për takimin në Emirate vazhdojnë, me këto të fundit në rolin e garantuesit dhe negociatorit.
Bashkimi Evropian ka kërkuar të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e paqes. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni zhvilloi biseda telefonike me Trumpin, Zelenskyn dhe liderin e Emirateve, bin Zayed, duke theksuar: “Evropa duhet të merret në konsideratë.” Zelensky e mbështeti publikisht këtë qëndrim përmes një postimi në rrjetin X.
Nga ana tjetër, Moska vijon të vendosë kushte strikte për pjesëmarrje dhe mospërfshirjen e Ukrainës. Ultimatumi i Uashingtonit për këtë çështje skadon sot, ndërsa burime diplomatike raportojnë se i dërguari amerikan Witkoff i ka ofruar Rusisë njohje të disa territoreve dhe lehtësim të sanksioneve në këmbim të një marrëveshjeje.
Presidenti francez Emmanuel Macron, pas një telefonate të gjatë me Zelenskyn dhe liderë të tjerë evropianë, konfirmoi mbështetjen e Francës për armëpushim dhe për një zgjidhje që garanton sigurinë e Ukrainës dhe Evropës. Edhe Kombet e Bashkuara u shprehën optimiste, duke mirëpritur çdo përpjekje për paqe që respekton të drejtën ndërkombëtare.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi shkatërrimin e 30 dronëve ukrainas mbi rajonet Rostov, Krime, Saratov, Bryansk, Belgorod dhe Volgograd gjatë natës. Nga ana tjetër, ushtria ruse goditi qytetin ukrainas të Kharkiv me dronë mbrëmjen e sotme, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarr në një objekt biznesi. Deri tani nuk raportohet për viktima.
Samiti në Emirate pritet të jetë një nga momentet kyçe të diplomacisë ndërkombëtare për vitin 2025, mes tensioneve të hapura mes Moskës, Uashingtonit, Kievit dhe Brukselit, ndërsa në front vijon lufta që ka hyrë në vitin e saj të katërt.