Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e caktuar për të mërkurën më 11.02.2026, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër i legjislaturës së re, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje.
Atij do t’i ndihmojë deputetja më e re e Kuvendit, Fatma Taçi nga Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP).
Kjo u bë e ditur pas mbledhjes përgatitore të ftuar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, me përfaqësuesit e subjekteve parlamentare.
Si do të ulen partitë në sallë?
Gjatë takimit u dakordua edhe renditja e ulëseve në sallën plenare, sipas Rregullores dhe praktikave të mëhershme:
-
Lëvizja Vetëvendosje – në mes të sallës
-
Partia Demokratike e Kosovës – në anën e djathtë (nga perspektiva e kryesuesit)
-
Lidhja Demokratike e Kosovës – në anën e majtë
-
Deputetët e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, komunitetit serb dhe komuniteteve tjera joshumicë do të zënë vendet përkatëse sipas përfaqësimit.
Rendi i ditës
Seanca do të nisë me:
-
Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve
-
Betimin e deputetëve
-
Zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit
-
Zgjedhjen e nënkryetarëve
Me propozim të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, është arritur marrëveshje që pesë nënkryetarët të votohen në pako.
Seanca nis në ora 17:00
Fillimisht e thirrur nga Presidentja Vjosa Osmani për në ora 12:00, seanca është shtyrë për në ora 17:00.
Shtyrja u bë me propozim të përfaqësueses së PDK-së, Vlora Çitaku, për shkak të fjalës përfundimtare të mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, pas konstituimit të Kuvendit hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

