Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka reaguar ashpër pas polemikave në Senatin amerikan lidhur me propozimin e ri për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, duke insistuar se dokumenti nuk është produkt rus, por një iniciativë e hartuar në Uashington.
Në një postim në platformën X, Rubio theksoi se “propozimi i paqes është hartuar nga SHBA”, duke sqaruar se dokumenti shërben si “kornizë e fortë për negociatat e mëtejshme” dhe përfshin elemente të propozuara nga Moska, por edhe “kontribute të vazhdueshme të Ukrainës”.
Përplasja në Senat
Reagimi vjen pasi tre senatorë amerikanë — republikani Majk Raunds, i pavaruri Angus King dhe demokratja Xhin Shahin — deklaruan se Rubio u kishte thënë privatisht se dokumenti nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të SHBA-së, duke e cilësuar si një draft fillestar që përmbante “një listë me dëshirat e Rusisë”.
“Ministri Rubio na telefonoi pasdite… Nuk është rekomandimi ynë. Nuk është plani ynë i paqes,” tha senatori Raunds për mediat amerikane.
Më herët, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tomi Pigot, i quajti deklaratat e tyre “krejtësisht të pavërteta”, duke shtuar tensionet mes administratës dhe ligjvënësve.
Diplomacia lëviz drejt Gjenevës
Rubio pritet të mbërrijë sot në Gjenevë, së bashku me të dërguarin e presidentit Donald Trump, Stiv Uitkof, për bisedime me përfaqësues të Ukrainës dhe vendeve evropiane.
Pritjet janë të ftohta: zyrtarët në Kiev dhe kryeqytetet e BE-së kanë shprehur hapur shqetësime për planin 28-pikësh, të cilin disa e cilësojnë të favorshëm për Moskën.
Ndërkohë, presioni ndaj Ukrainës mbetet i lartë, pasi Trump ka sinjalizuar se mbështetja amerikane mund të varet nga qasja e Kievit ndaj propozimit.
Bisedimet në Gjenevë pritet të shënojnë testin e parë të vërtetë për fatin e planit — dhe për unitetin perëndimor në një moment kritik të luftës.

