Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municionesh në Prizren, në kuadër të hetimeve për një rast të shtënash me armë zjarri. Ngjarja kishte ndodhur më 9 shtator 2025, rreth orës 02:45, në rrugën “Mbreti Pleurat”, ku pas informimit, njësitë policore nisën menjëherë veprimet operative.
Hetimet çuan në identifikimin e dy personave të dyshuar. Më 17 shtator, rreth orës 14:45, policia lokalizoi një veturë të dyshuar në rrugën “Enver Hadri” në Prizren, por nuk arriti të arrestojë të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit dhe në prezencën e babait të të dyshuarit dhe avokatit, policia realizoi kontrolle në dy lokacione të ndryshme.
Gjatë kontrollit u sekuestruan:
-
Një pushkë automatike AK-47
-
Një pushkë gjysmë automatike me dylbi
-
Një pushkë gjuetie
-
161 fishekë të kalibrave të ndryshëm
Të gjitha dëshmitë u fotografuan dhe u evidentuan nga njësia e krim-teknikës.
Dy të dyshuarit ndodhen ende në kërkim dhe ngarkohen me akuzat për:
-
“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”
-
“Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”
-
“Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.