Ish-prezantuesja e Fox News, Jeanine Pirro, është konfirmuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara si Prokurore e Përgjithshme Federale për Distriktin e Kolumbias, duke siguruar postin me 50 vota pro dhe 45 kundër.
Ky konfirmim vjen pas tërheqjes së kandidatit të parë të presidentit Donald Trump, Edward Martin Jr., i cili u konsiderua një figurë kontroverse për shkak të mbështetjes së tij për protestuesit që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021. Martin aktualisht shërben si avokat i faljeve pranë Departamentit të Drejtësisë.
Pirro, e cila më parë ka qenë prokurore qarku dhe gjyqtare e zgjedhur në Nju Jork, ka shërbyer që nga maji si prokurore e përkohshme për Distriktin e Kolumbias. Para kësaj, ajo ishte bashkë-prezantuese e emisionit “The Five” në Fox News, ku shpesh intervistonte edhe vetë presidentin Trump.
Karriera e saj në media u forcua veçanërisht përmes emisionit “Justice with Judge Jeanine”, që transmetohej për njëmbëdhjetë vjet në Fox News. Ajo është autore e disa librave, përfshirë “Liars, Leakers, and Liberals: The Case Against the Anti-Trump Conspiracy”, i përshkruar nga Washington Post si një mbështetje e zjarrtë për ish-presidentin.
Në vitin 2020, Pirro ishte një nga figurat që përhapën teori të pabazuara konspirative për mashtrim zgjedhor, çka bëri që ajo të përfshihej si e pandehur në një padi për shpifje nga kompania Dominion Voting Systems. Padia u zgjidh nga Fox News për një shumë afër 800 milionë dollarësh.
Konfirmimi i saj nga Senati u parapri nga një votim i anëtarëve republikanë në Komitetin Gjyqësor, të cilët mbështetën njëzëri nominimin, ndërkohë që demokratët bojkotuan seancën në shenjë proteste për kandidaturën e një gjyqtari tjetër të propozuar nga Trump, Emil Bove.
Pirro, e diplomuar në vitin 1975 nga Shkolla e Drejtësisë “Albany”, ka një përvojë të konsiderueshme në sistemin gjyqësor krahasuar me pararendësin e saj Martin, i cili nuk ka ushtruar më parë funksione gjyqësore apo prokurore. Ajo u zgjodh gjyqtare në Gjykatën e Qarkut Westchester të Nju Jorkut në vitin 1990 dhe më pas shërbeu për tri mandate si prokurore qarku.
Në fund të mandatit të tij të parë, presidenti Trump lëshoi një falje presidenciale për ish-bashkëshortin e saj, Albert Pirro, i cili ishte dënuar në vitin 2000 për evazion fiskal dhe konspiracion financiar.