Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vendosin tarifa doganore shtesë ndaj blerësve kryesorë të naftës ruse, veçanërisht Kinës dhe Indisë, në përpjekje për të frenuar financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Një zyrtar amerikan për agjencinë AFP deklaroi të martën se Bashkimi Evropian është dakord të koordinojë hapat me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.
Presidenti amerikan Donald Trump mori pjesë virtualisht për pak minuta në një diskutim mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë lidhur me masat e mundshme. Diskutimet mund të çojnë në vendimin që Brukseli të shpallë tarifa doganore shtesë prej 50% deri në 100% për disa produkte të importuara nga Kina dhe India, dy prej blerësve më të mëdhenj të naftës së papërpunuar ruse.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump njoftoi gjithashtu se përfaqësues të qeverive të SHBA-së dhe Indisë po zhvillojnë bisedime për të kapërcyer pengesat në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve, duke paralajmëruar edhe një komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin indian, Narendra Modi.