Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia kanë arritur një marrëveshje dypalëshe tregtare me vlerë marramendëse prej 550 miliardë dollarësh, të cilën presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur si “ndoshta marrëveshjen më të madhe ndonjëherë”.
Marrëveshja u njoftua të martën vonë, si pjesë e negociatave të gjata mbi tarifat doganore mes dy ekonomive më të fuqishme të botës. Sipas Trump, marrëveshja parashikon që Japonia të investojë 550 miliardë dollarë në ekonominë amerikane, me një përfitim të drejtpërdrejtë për SHBA-në prej 90% të fitimeve të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, pritet të hapen qindra mijëra vende të reja pune në Shtetet e Bashkuara.
“Japonia do të investojë 550 miliardë dollarë. Kjo është marrëveshja më e madhe ndonjëherë, që do të sjellë punësim dhe fitim të madh për vendin tonë,” deklaroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
Sipas të dhënave paraprake, tarifa të ndërsjella prej 15% do të aplikohen mbi produktet e shkëmbimit mes dy vendeve. Një ndër pikat kyçe të marrëveshjes është ulja e tarifave që SHBA aplikon për automjetet japoneze – nga 25% aktualisht në 15%. Sipas mediave japoneze NHK dhe Asahi, këto tarifa do të përgjysmohen në 12.5%, ndërsa do të mbetet një tarifë shtesë prej 2.5%.
Gjithashtu, marrëveshja përfshin hapjen e tregut japonez për një sërë produktesh amerikane, përfshirë automjetet, kamionët, orizin dhe produkte të tjera bujqësore.
Kryeministri japonez Shigeru Ishiba, në një reagim të shkurtër, u shpreh se “detajet e marrëveshjes do të shqyrtohen para se të merret një qëndrim zyrtar”.
Me këtë marrëveshje, të dy vendet synojnë të rrisin bashkëpunimin ekonomik dhe të zbusin tensionet tregtare që kanë qenë të pranishme gjatë viteve të fundit. Ajo cilësohet si një hap strategjik drejt një partneriteti më të thelluar ekonomik ndërmjet dy aleatëve të mëdhenj globalë.