Bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu lidhur me fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, janë zhvilluar në një frymë pozitive dhe konstruktive.
Kështu ka deklaruar të dielën i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pas takimeve me zyrtarët izraelitë dhe Netanyahun.
“Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë një marrëdhënie të fortë dhe afatgjatë, të bazuar në koordinim të ngushtë dhe prioritete të përbashkëta. Diskutimi ishte konstruktiv dhe pozitiv, me të dyja palët që u dakordësuan mbi hapat e ardhshëm dhe mbi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në të gjitha çështjet kritike për rajonin”, shkroi Witkoff në një postim në platformën X.
Bisedimet janë fokusuar në vijimin e procesit politik për Gazën dhe në zbatimin e fazës së dytë të planit 20-faqësh të paqes të hartuar nga administrata amerikane, në një kohë kur situata në rajon mbetet e brishtë dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim dhe armëpushim po intensifikohen.
Plani i propozuar nga Uashingtoni synon të krijojë një kornizë afatgjate për sigurinë, rindërtimin dhe administrimin e Gazës, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli theksojnë rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm përballë sfidave të sigurisë dhe zhvillimeve politike në Lindjen e Mesme.

