Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dritën jeshile për shitjen e re të armëve drejt Ukrainës, në vlerë prej 322 milionë dollarësh, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe kapacitetet në terren të këtij shteti, në një kohë kur lufta me Rusinë vazhdon me intensitet.
Sipas Agjencisë së Departamentit amerikan të Mbrojtjes për Siguri dhe Bashkëpunim, paketa përfshin pajisje HAWK për mbrojtje ajrore në vlerë prej 172 milionë dollarësh, si dhe pajisje luftarake për këmbësorinë Bradley, që kapin shumën prej 150 milionë dollarësh.
“Pajisjet HAWK do të përmirësojnë kapacitetet e Ukrainës për t’u përballur me kërcënimet e së tashmes dhe të ardhmes”, theksoi agjencia amerikane.
Departamenti i Shtetit ka miratuar shitjen, ndërsa Kongresi amerikan pritet të japë aprovimin final.
Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të furnizojnë Ukrainën me armë në vlera që kapin “miliarda dollarë”, në kuadër të një marrëveshjeje të re të mbështetur nga Aleanca Veriatlantike.
Trump, ndërkohë, i ka dhënë Rusisë një afat 50-ditor për të pranuar një armëpushim, përndryshe ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja dhe më të ashpra.
Pezullim dërgesash nga Pentagoni
Miratimi i kësaj pakete vjen pas një urdhri të Pentagonit për pezullim të përkohshëm të disa dërgesave drejt Ukrainës, me qëllim rivlerësimin e rezervave amerikane, ndërkohë që Kievi vazhdon të përballet me sulme intensive me dronë dhe raketa nga Rusia.
Sulmet ruse kanë vazhduar më 23 korrik, përfshirë bombardimin e portit të Odesës në Detin e Zi, duke shkaktuar dëme materiale dhe zjarr në objekte banimi.
Kundërsulme dhe këmbim të burgosurish
Ndërkohë, forcat ukrainase kanë ndërmarrë sulme me dronë në territore ruse, duke shkaktuar viktima dhe dëme infrastrukturore. Autoritetet ruse njoftuan pezullimin e fluturimeve në aeroportin e Soçit për katër orë si pasojë e këtyre sulmeve.
Në të njëjtën ditë, Rusia dhe Ukraina u pajtuan për një marrëveshje për këmbimin e të burgosurve, pas bisedimeve të zhvilluara në Turqi.
Megjithatë, palët nuk arritën marrëveshje për një armëpushim të përgjithshëm dhe nuk u caktua ndonjë takim i ri ndërmjet liderëve të dy vendeve.
Shefi i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, konfirmoi progresin në aspektin humanitar, por jo në drejtim të ndaljes së luftës. Nga ana tjetër, përfaqësuesi rus, Vladimir Medinsky, kërkoi armëpushime 24 deri në 48 orëshe për të mundësuar tërheqjen e trupave.
1.200 të burgosur dhe trupat e 3.000 ushtarëve për këmbim
Në marrëveshjen e arritur, të dyja palët janë pajtuar për këmbimin e mbi 1.200 të burgosurve të luftës, ndërsa Rusia është zotuar të dorëzojë trupat e rreth 3.000 ushtarëve ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se po bëhen përgatitjet e fundit për zbatimin e marrëveshjes. “Po presim kthimin e njerëzve tanë në shtëpi. Është shumë e rëndësishme që, pavarësisht gjithë vështirësive, ukrainasit të kthehen”, theksoi ai.