Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar dhe sekuestruar një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës, në ujëra ndërkombëtare, kanë konfirmuar për Reuters tre zyrtarë amerikanë. Ky është rasti i dytë brenda pak javësh që forcat amerikane ndërmarrin një veprim të tillë, vetëm disa ditë pasi presidenti Donald Trump shpalli një “bllokadë të plotë” ndaj të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Sipas burimeve, operacioni është udhëhequr nga Roja Bregdetare e SHBA-së, ndërsa vendndodhja e saktë nuk është bërë publike. Pentagoni dhe Roja Bregdetare i kanë referuar pyetjet Shtëpisë së Bardhë, e cila deri tani nuk ka komentuar zyrtarisht. As Ministria venezueliane e Naftës dhe as kompania shtetërore PDVSA nuk kanë reaguar.
Vendimi vjen në kuadër të një përshkallëzimi të dukshëm të presionit amerikan ndaj Karakasit. “Po urdhëroj një bllokadë të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, deklaroi Trump disa ditë më parë. Pas sekuestrimit të parë, tregtarët raportojnë se dhjetëra anije të mbushura me miliona fuçi nafte kanë qëndruar në ujërat venezueliane, duke shmangur lëvizjen nga frika e konfiskimit. Si pasojë, eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë shënuar rënie të ndjeshme.
Ndërkohë, megjithëse shumë anije që transportojnë naftë venezueliane janë nën sanksione, disa të tjera – përfshirë anije që transportojnë naftë nga Irani dhe Rusia – nuk janë të sanksionuara. Kompani të caktuara, mes tyre edhe Chevron, kanë përdorur anije të autorizuara për të transportuar naftë venezueliane.
Analistët theksojnë se Kina mbetet blerësi më i madh i naftës bruto të Venezuelës, që përbën rreth 4% të importeve të saj, me dërgesa që në dhjetor pritet të kalojnë mesatarisht 600 mijë fuçi në ditë. Për momentin, tregu global i naftës konsiderohet i furnizuar mirë, por nëse embargoja amerikane zgjatet, humbja e afro një milion fuçive në ditë mund të ndikojë në rritjen e çmimeve.
Që nga vendosja e sanksioneve energjetike amerikane ndaj Venezuelës në vitin 2019, tregtia e naftës është mbështetur gjithnjë e më shumë në të ashtuquajturën “flotë në hije” – cisterna që fshehin vendndodhjen dhe përdoren edhe për transportin e naftës iraniane apo ruse. Sipas TankerTrackers.com, nga mbi 70 cisterna që ndodhen aktualisht në ujërat venezueliane dhe i përkasin kësaj flote, rreth 38 janë nën sanksione të Thesarit amerikan.
Fushata e presionit të Uashingtonit ka shkuar përtej masave ekonomike. Ajo përfshin rritje të pranisë ushtarake amerikane në rajon dhe dhjetëra sulme ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor lindor, të cilat sipas raportimeve kanë shkaktuar mbi 100 viktima. Trump ka paralajmëruar gjithashtu se sulmet tokësore amerikane në Venezuelë mund të nisin së shpejti.
Nga ana e tij, presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka akuzuar SHBA-në se synon rrëzimin e qeverisë së tij dhe marrjen e kontrollit mbi rezervat e mëdha të naftës së vendit, më të mëdhatë në botë sipas të dhënave të OPEC-ut.

