Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë tërhequr zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke zbatuar një urdhër ekzekutiv të nënshkruar më herët nga presidenti amerikan Donald Trump.
Lajmi është bërë i ditur përmes njoftimit zyrtar të Shtëpia e Bardhë në rrjetet sociale, ku thuhet se largimi i SHBA-ve përmbush angazhimin e presidentit Trump, të dhënë që në ditën e parë të mandatit të tij presidencial në vitin 2025.
“Shtetet e Bashkuara janë larguar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo përmbush angazhimin e Presidentit Trump sipas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar një vit më parë, pas keqmenaxhimit të pandemisë COVID-19 nga OBSH-ja dhe mungesës së vazhdueshme të reformës, llogaridhënies dhe transparencës”, thuhet në deklaratë.
Presidenti Trump kishte paralajmëruar se SHBA-të do të tërhiqeshin nga OBSH-ja, duke e akuzuar këtë organizatë për dështime serioze gjatë menaxhimit të pandemisë së COVID-19 dhe për varësi të tepruar nga shtete të caktuara.
Sipas një njoftimi të përbashkët për shtyp nga Departamenti amerikan i Shëndetësisë dhe ai i Shtetit, SHBA-të do të mbajnë vetëm bashkëpunim të kufizuar teknik me OBSH-në gjatë fazës së tërheqjes formale.
“Ne nuk kemi plane të marrim pjesë si vëzhgues dhe nuk kemi plane të ribashkohemi,” ka deklaruar një zyrtar i lartë i shëndetësisë amerikane.
Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se Uashingtoni synon të bashkëpunojë drejtpërdrejt me shtete individuale dhe jo përmes organizatave ndërkombëtare, në çështje që lidhen me mbikëqyrjen e sëmundjeve, emergjencat shëndetësore dhe politikat globale të shëndetit publik.

