Pesë avionë luftarakë amerikanë F-35 kanë zbarkuar në Porto Riko, në një kohë kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës po përshkallëzohen ndjeshëm.
Sipas Reuters, avionët u ulën të shtunën në ish-bazën Roosevelt Roads në Ceiba, si pjesë e një vendosjeje të urdhëruar nga presidenti Donald Trump, për të forcuar operacionet kundër trafikimit të drogës në Karaibe. Përveç avionëve, në bazë u panë helikopterë, anije Osprey dhe trupa ushtarake, gjë që nxiti protesta lokale kundër militarizimit të Porto Rikos.
🔻 Reagimi i Venezuelës
Ministria e Jashtme e Venezuelës akuzoi SHBA-në për një veprim “të paligjshëm dhe armiqësor”, pasi 18 pjesëtarë të armatosur të Marinës Amerikane dyshohet se bastisën një anije peshkimi në ujërat venezueliane, duke ndaluar për tetë orë në bord dhe penguar aktivitetet e nëntë peshkatarëve. “Ata që japin urdhra për provokime të tilla po kërkojnë një incident që do të justifikonte një përshkallëzim ushtarak në Karaibe,” deklaroi ministri i Jashtëm Yván Gil.
🔻 Përgatitjet e Maduros
Udhëheqësi venezuelian Nicolás Maduro ka mobilizuar forcat e armatosura përgjatë bregdetit në 284 “fronte beteje”, përmes manovrave ushtarake të koduara si “Plani Independencia 200”. Ai tha se qëllimi është mbrojtja e sovranitetit të Venezuelës përballë veprimeve të SHBA-së, të cilat i cilësoi si pjesë e një politike për ndryshim regjimi.
Ky zhvillim ndodh vetëm pak ditë pasi Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, vizitoi papritur Porto Rikon dhe Uashingtoni raportoi se kishte neutralizuar një anije që transportonte drogë, të lidhur me grupin kriminal Tren de Aragua, me origjinë nga Venezuela.