Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) do të nisë së shpejti një program të ri testues, që parashikon kërkesën për garanci financiare nga aplikantët për viza nga vende të cilësuara me rrezik të lartë për qëndrime të paligjshme. Programi 12-mujor do të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve nga publikimi në Regjistrin Federal, i planifikuar për të martën.
Sipas njoftimit zyrtar, individëve që aplikojnë për viza të përkohshme për qëllime biznesi ose turizmi, mund t’u kërkohet të paguajnë një garanci prej 5.000, 10.000 ose 15.000 dollarësh. Masa prek veçanërisht shtetas nga vende me norma të larta të shkeljes së kushteve të vizës, mangësi në sistemin e kontrollit të dokumenteve, ose që ofrojnë shtetësi nëpërmjet investimeve pa kërkuar banim të qëndrueshëm.
Ky veprim vjen në kuadër të një serie masash të reja të ndërmarra nga administrata Trump për të ashpërsuar politikat e imigracionit dhe kushtet për marrjen e vizave.
Javën e kaluar, DASH njoftoi gjithashtu se shumë aplikantë për rinovim vizash do të përballen me intervista personale shtesë, ndryshe nga praktika e mëparshme ku kjo nuk ishte e detyrueshme. Po ashtu, është propozuar që aplikantët për Lotarinë Amerikane të posedojnë një pasaportë të vlefshme nga vendi i shtetësisë.
Qëllimi i programit të ri, sipas autoriteteve amerikane, është të sigurojë që Shtetet e Bashkuara të mos mbesin financiarisht përgjegjëse në rast se një vizitor shkel kushtet e vizës.
Masa nuk do të zbatohet për shtetasit e vendeve pjesëmarrëse në Programin e Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program), ndërsa për të tjerët mund të përjashtohet në bazë të rrethanave individuale.
Kërkesa për garanci për viza është diskutuar edhe më parë, por nuk ka hyrë kurrë në zbatim për shkak të vështirësive në administrimin e saj dhe perceptimeve negative në publik. Kësaj radhe, DASH thekson se nuk ka prova të fundit që mbështesin kundërshtimet e mëparshme ndaj kësaj mase, duke argumentuar nevojën për testimin e saj praktik.
Listën e vendeve që do të preken nga ky program pritet ta publikojë DASH pas hyrjes në fuqi të nismës.