Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zbuluar detaje të reja mbi arsyet dhe objektivat e sulmit të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit, duke e cilësuar operacionin si “të domosdoshëm dhe të vonuar deri në limit”.
Sipas tij, rreziku nuk lidhej vetëm me ambiciet bërthamore të Iranit, por edhe me përpjekjen për të ndërtuar një mburojë të fuqishme me raketa dhe dronë, që do ta bënte vendin praktikisht të paprekshëm nga sulmet.
Rubio theksoi se Teherani kishte zhvilluar infrastrukturë të fshehtë, përfshirë objekte të ndërtuara thellë në male dhe kapacitete për pasurimin e uraniumit, që mund të përdoren si për energji ashtu edhe për armë bërthamore.
Ai nënvizoi se momenti i ndërhyrjes ishte kritik: sipas tij, Irani ishte shumë pranë krijimit të një sistemi mbrojtës aq të fortë sa askush nuk do të mund të ndalonte më programin e tij bërthamor.
“Ky ishte shansi i fundit për të vepruar,” – theksoi ai, duke mbrojtur vendimin e Donald Trump për të urdhëruar sulmin.
Objektivi kryesor, sipas Rubios, ishte shkatërrimi i kapaciteteve të raketave dhe dronëve, për të parandaluar që Irani të fshihej pas tyre dhe të siguronte që vendi të mos arrijë kurrë të zhvillojë armë bërthamore.
Mesazhi i Uashingtonit është i prerë: kjo nuk ishte vetëm një goditje ushtarake, por një përpjekje për të ndalur një kërcënim para se të bëhej i pakontrollueshëm.

