Një akt ndershmërie dhe përgjegjësie qytetare është shënuar të shtunën në Ferizaj, duke dëshmuar se vlerat njerëzore ende flasin më fort se çdo tundim material.
Sipas njoftimit të Kosovo Police, më 18 janar 2026, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi (32) nga Ferizaj ka gjetur një portofol në parkingun e “Viva Fresh Store”, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B.Ç. (29). Pa hezitim, qytetari Rexhepi e ka dorëzuar portofolin në stacionin policor në Ferizaj.
Pas identifikimit, pronarja e portofolit është kontaktuar nga policia dhe është paraqitur në stacion, ku i janë kthyer të gjitha paratë dhe dokumentet pa asnjë mungesë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar publikisht qytetarin A. Rexhepi, duke e cilësuar veprimin e tij si gjest human, shembullor dhe të denjë për respekt, ndërsa ka vlerësuar lart ndershmërinë dhe vetëdijen qytetare të treguar.
Në një kohë kur shpesh dominojnë lajmet negative, ky rast vjen si një frymë e pastër – një kujtesë se shoqëria mbahet gjallë nga njerëz të zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme.

