Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka dalë me një njoftim zyrtar pasi shpalli aktgjykimin ndaj ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Sipas njoftimit, Ahmeti është shpallur fajtor për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas nenit 430, paragrafi 2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata e ka dënuar atë me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Po ashtu, Ahmeti obligohet që, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, të paguajë 100 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 100 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.
Në njoftim thuhet se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Shpend Ahmeti, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 21.01.2026 nuk e kishte pranuar fajësinë, ndërsa në seancën e datës 23.07.2026 është deklaruar për akuzën që i vihet në barrë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 23.12.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i pandehuri Shpend Ahmeti në periudhën kohore nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në Prishtinë, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës edhe pse i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë vjetore në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë duke mos deklaruar te ardhurat reale.
“Si person zyrtar, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare, me rastin e paraqitjes se deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale, respektivisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme (cash) të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejtë ashtu edhe përmes bankomatëve (ATM), në llogaritë e tij personale në vlerë të përgjithshme prej 118,200.00 euro.”- thuhet në aktakuzë.
Sipas PSRK-së i pandehuri Ahmeti në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raspotimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.
Ahmeti ishte për dy mandate kryetar i Prishtinës, i njëjti kishte fituar si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje mandatin e parë në vitin 2013-të dhe përfundoi mandatin e dytë në vitin 2021.

