Shqipëria ka shënuar sot një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me hapjen e katër kapitujve të rinj në kuadër të Grupkapitullit IV: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme.
Konferenca e 6-të ndërqeveritare me BE-në nisi në orën 08:00 në Bruksel dhe u bashkëdrejtua nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, vendi i së cilës mban aktualisht presidencën e BE-së. Në orën 09:15, u zhvillua edhe një konferencë e përbashkët për shtyp me pjesëmarrjen e komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.
Katër kapitujt e hapur sot janë:
-
Politika e Transportit
-
Energjia
-
Rrjetet Trans-evropiane
-
Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike
Në një postim para nisjes së takimit, kryeministri Rama theksoi ritmin e shpejtë të procesit:
“Me padurimin e sotëm për të hapur edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në BE, që i shtohen 24 kapitujve të hapur në vetëm 11 muaj – një ritëm rekord – ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi ai, duke ndarë edhe foto me komisioneren Marta Kos.
Këta katër kapituj i shtohen 24 të tjerëve të hapur brenda më pak se një viti, çka Rama e cilësoi si “rekord absolut në historinë e negociatave”. Deri më tani, Shqipëria ka hapur 4 nga 6 grupkapitujt kryesorë: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë me Rritjen Gjithëpërfshirëse.
Konferenca e ardhshme ndërqeveritare është planifikuar më 2 tetor, ku pritet të hapet edhe grupkapitulli i fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”. Zyrtarët e BE-së janë shprehur optimistë se Shqipëria mund të arrijë integrimin e plotë deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin prioritet të mandatit të tij të katërt qeverisës.