Gjuha shqipe po përjashtohet gjithnjë e më shumë nga përdorimi zyrtar në institucionet e drejtësisë në Maqedonia e Veriut, me fokus të veçantë Ministria e Drejtësisë. Sipas ankesave të shumta të qytetarëve shqiptarë dhe burimeve institucionale, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, po refuzon nënshkrimin e çdo dokumenti që përmban edhe një fjalë në gjuhën shqipe.
Praktika e dokumenteve dygjuhëshe – maqedonisht dhe shqip – e konsoliduar pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, është ndërprerë pas ardhjes së Filkovit në krye të dikasterit. Sot, vërtetime, certifikata dhe akte të tjera zyrtare po lëshohen ekskluzivisht në maqedonisht, edhe kur kërkesat paraqiten zyrtarisht në shqip.
Certifikatat e jurisprudencës vetëm në maqedonisht
Shembulli më i fundit lidhet me certifikatat e dhënies së provimit të jurisprudencës. Nëse deri dy vite më parë këto certifikata u dorëzoheshin kandidatëve edhe në shqip, tash ato lëshohen vetëm në maqedonisht, pavarësisht kërkesave të drejtpërdrejta të kandidatëve shqiptarë. Nga administrata, përgjigjja ka qenë e prerë: “Ministri nuk i nënshkruan dokumentet që kanë qoftë edhe një fjalë në shqip.”
Shkelje e ligjit dhe përjashtim politik
Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, institucionet kanë detyrim që t’u përgjigjen qytetarëve edhe në shqip, kur pala i drejtohet institucionit në këtë gjuhë. Megjithatë, ky detyrim ligjor nuk po zbatohet në Ministrinë e Drejtësisë.
Situata rëndohet edhe më shumë nga përbërja politike e ministrisë: shqiptarët nuk kanë asnjë përfaqësues në pozita të larta drejtuese. Ministri vjen nga partia ZNAM, ndërsa zëvendësministri dhe sekretari shtetëror janë nga VMRO-DPMNE.
Hap prapa nga praktikat e mëparshme
Dhënia e dokumenteve në shqip ishte praktikë e rregullt gjatë mandatit të ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, dhe zbatohej në mënyrë konsekuente në përputhje me ligjin. Ndërprerja e kësaj praktike po shihet si një hap prapa serioz në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe si shkelje e drejtpërdrejtë e legjislacionit në fuqi.
Ironikisht, pikërisht nga kjo ministri ka dalë Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa sot edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është pjesë administrative e saj. Për komunitetin shqiptar, kjo situatë shihet si sinjal alarmi për zbehjen e statusit zyrtar të shqipes dhe për një prapakthim institucional që kërkon reagim të menjëhershëm.Evis HALILI-(koha.mk).

