Një shtetas shqiptar, i akuzuar për përfshirje në një komplot për vrasjen e ish-presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, është liruar nga autoritetet venezueliane dhe ndodhet në gjendje të sigurt.
Bëhet fjalë për Jozef Ndocin, i cili kishte qenë i ndaluar për më shumë se një vit, nga tetori i vitit 2024 deri në janar 2026. Lirimi i tij është konfirmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e cila njofton se Ndoci aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Karakas, në pritje të lejes për t’u kthyer në Shqipëri.
Sipas MEPJ-së, Ndoci ishte mbajtur në burgun e sigurisë së lartë “El Rodeo”, në shtetin Miranda. Lirimi i tij u realizua në kuadër të një procesi më të gjerë, që përfshinte lirimin e disa të burgosurve të huaj në Venezuelë. Pas një transferimi të përkohshëm në ambientet e DGCIM-it, ai është liruar plotësisht.
Ambasada e Shqipërisë në Brazil ka ndjekur rastin në mënyrë të vazhdueshme, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike. Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e tij, të cilët kanë komunikuar telefonikisht me Ndocin pas lirimit.
Ministria e Jashtme thekson se do të vijojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri, duke riafirmuar angazhimin për mbrojtjen e shtetasve shqiptarë kudo që ndodhen.

