Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar marrëveshjen për armëpushim me Iranin si një sukses të madh për Shtetet e Bashkuara, duke theksuar rolin vendimtar të presidentit Donald Trump në arritjen e saj.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se marrëveshja – e arritur me ndërmjetësimin e Pakistanit – përfaqëson një “fitore” për SHBA-në dhe për ushtrinë amerikane.
“Kjo është një fitore për Shtetet e Bashkuara, e arritur nga presidenti Trump dhe ushtria jonë e jashtëzakonshme”, u shpreh ajo në një reagim të publikuar në rrjetet sociale.
Sipas saj, një nga rezultatet kryesore të marrëveshjes është rihapja e Ngushtica e Hormuzit, një arterie jetike për tregtinë globale dhe furnizimin me energji.
Leavitt theksoi gjithashtu se ndërhyrja e Trump ka ndikuar drejtpërdrejt në stabilizimin e situatës dhe në avancimin e interesave amerikane në rajon.
“Mos e nënvlerësoni kurrë aftësinë e presidentit Trump për të avancuar me sukses interesat e Amerikës dhe për të ndërmjetësuar për paqen”, shtoi ajo.
Marrëveshja për armëpushim vjen pas javësh tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, që kishin rritur ndjeshëm shqetësimet për një përshkallëzim të gjerë të konfliktit dhe ndikim në tregjet globale të energjisë.

