Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar forcat ushtarake amerikane që për të paktën dy muajt e ardhshëm të përqendrohen pothuajse ekskluzivisht në zbatimin e një “karantine” ndaj eksporteve të naftës së Venezuelës, në një përpjekje për të rritur presionin ekonomik ndaj qeverisë së Karakasit.
Një zyrtar amerikan i cituar nga Reuters ka deklaruar se Uashingtoni, në këtë fazë, po i jep përparësi mjeteve ekonomike ndaj atyre ushtarake. “Ndërsa opsionet ushtarake mbeten në tryezë, fokusi është që fillimisht të përdoret presioni ekonomik përmes zbatimit të sanksioneve,” tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti.
Presidenti amerikan Donald Trump ka ushtruar, sipas raportimeve, presion të drejtpërdrejtë ndaj presidentit venezuelian Nicolás Maduro që të largohet nga pushteti. Trump ka deklaruar publikisht se do të ishte “e zgjuar” që Maduro të largohej, ndërsa në prapaskenë administrata e tij synon ta çojë Venezuelën drejt një krize të thellë ekonomike nëse nuk bëhen lëshime të mëdha ndaj SHBA-së.
Sipas burimeve amerikane, masat e ndërmarra deri më tani kanë ushtruar “presion të jashtëzakonshëm” mbi qeverinë e Karakasit dhe pritet që deri në fund të janarit vendi të përballet me pasoja të rënda ekonomike, nëse nuk ndryshon kurs.
Në kuadër të këtij operacioni, Roja Bregdetare e SHBA-së ka kapur këtë muaj dy cisterna të mbushura me naftë bruto venezueliane në Detin e Karaibeve dhe po përgatitet për një sekuestrim të tretë. Këto veprime janë pjesë e strategjisë për të ndërprerë burimin kryesor të të ardhurave të qeverisë venezueliane.
Nga ana tjetër, autoritetet e Venezuelës kanë reaguar ashpër. Ambasadori i vendit në Organizata e Kombeve të Bashkuara, Samuel Moncada, ka deklaruar se “kërcënimi nuk është Venezuela, por qeveria e Shteteve të Bashkuara”.
Pentagoni ka grumbulluar një prani të konsiderueshme ushtarake në rajonin e Karaibeve, me mbi 15 mijë trupa, një aeroplanmbajtëse, disa anije luftarake dhe avionë luftarakë. Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksojnë se jo të gjitha këto mjete janë të destinuara për operacione detare dhe se fokusi kryesor mbetet zbatimi i sanksioneve ekonomike.
Përdorimi i termit “karantinë” nga Shtëpia e Bardhë ka tërhequr vëmendje, pasi evokon gjuhën e përdorur gjatë krizës së raketave kubaneze në vitin 1962, kur SHBA shmangu termin “bllokadë” për të mos e konsideruar veprimin si akt lufte. Megjithatë, ekspertë të OKB-së kanë dënuar masat e fundit, duke paralajmëruar se një bllokadë e tillë mund të përbëjë “agresion të armatosur të paligjshëm” sipas ligjit ndërkombëtar.

