Në zemër të Berlinit, në një ndërtesë masive shtatëkatëshe në Friedrichstrasse, vijon të funksionojë “Shtëpia Ruse”, një institucion i hapur që nga viti 1984, që sipas kritikëve tashmë shërben më shumë si vegël propagandistike për Kremlinin sesa si urë kulturore mes Gjermanisë dhe Rusisë.
Pavarësisht se ndodhet në një truall që de jure i përket Gjermanisë, shteti gjerman paguan çdo vit 70 mijë euro taksë në emër të Rusisë për këtë hapësirë. Kjo pagesë buron nga një marrëveshje dypalëshe e vitit 2013 për njohjen reciproke të institucioneve kulturore mes dy vendeve – një marrëveshje që u nënshkrua para aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Nga miqësi kulturore në arenë propagande
Në faqen zyrtare të Ambasadës Ruse, “Shtëpia Ruse” përshkruhet si një ambasadë kulturore që synon të ruajë miqësinë ndërmjet dy vendeve. Megjithatë, politikanë dhe media gjermane e akuzojnë këtë institucion se nën petkun e kulturës po përçon propagandë të pastër pro-Kremlinit.
Deputeti i të Gjelbërve, Robin Wagener, tha për DW se “këtu nuk kemi të bëjmë me shkëmbim kulturor, por me propagandë të luftës ruse”. Sipas tij, një nga shembujt më të fortë është shfaqja e një filmi për Holokaustin, ku ukrainasit portretizohen si nazistë, dhe madje – sipas raportimeve – në këtë ndërtesë shiten edhe sapunë në formë tankesh për fëmijët.
Agjencia ruse qëndron pas menaxhimit
Objekti menaxhohet nga “Rossotrudnichestvo”, një agjenci shtetërore ruse që promovon gjuhën dhe kulturën ruse jashtë vendit. E njëjta agjenci është e përfshirë në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian që nga viti 2022 për mbështetjen e aneksimeve dhe luftës në Ukrainë.
Aktualisht, Rossotrudnichestvo është prezente në 62 shtete përmes 73 institucioneve, të ngjashme me atë të Berlinit.
Debati i nxehtë mbi buxhetin dhe të ardhmen e institucionit
Wagener ka kërkuar publikisht që në negociatat e ardhshme për buxhetin, qeveria gjermane të ndërpresë pagesën vjetore për tokën, duke e konsideruar të papranueshme që paratë e taksapaguesve gjermanë të shkojnë për të financuar atë që ai e quan “propagandë të Putinit”.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme gjermane ka treguar kujdes në këtë çështje për shkak të statusit diplomatik të stafit të institucionit dhe frikës se një konflikt i hapur me Moskën mund të sjellë masa reciproke – siç do ishte mbyllja e Institutit Goethe në Rusi.
Wagener: Nuk ka më vend për një ‘Shtëpi Ruse’ në Berlin
“Qëllimi fillestar i këtij institucioni – shkëmbimi kulturor dhe shkencor – është zbehur prej kohësh”, tha Wagener. “Në vend të tij kemi një përshkallëzim të qëndrimeve ruse dhe një tensionim të mëtejshëm të marrëdhënieve.”
Deputeti gjerman beson se vendin e këtij institucioni duhet ta zënë hapësira kulturore të pavarura për rusët e persekutuar politikisht që jetojnë në Gjermani dhe kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre larg represionit të regjimit të Putinit.
Megjithatë, përkundër kritikave dhe diskutimeve, “Shtëpia Ruse” vazhdon të jetë aktive në një nga rrugët më të rëndësishme të Berlinit – Friedrichstrasse – dhe gjasat për një mbyllje të shpejtë mbeten të ulëta.