Shtypi gjerman po i kushton vëmendje të madhe krizës energjetike dhe lëvizjeve politike të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, duke vënë theksin te mundësia që Serbia të nacionalizojë Naftën Industriale të Serbisë (NIS) dhe te përpjekjet e Beogradit për t’u afruar me administratën e presidentit Donald Trump. Lajmet, të përmbledhura nga “Deutsche Welle”, sjellin analiza të disa mediave kryesore gjermane dhe austriake.
Kriza e NIS dhe rreziku i energjisë
Magazini gjerman Stern kujton se shumica e aksioneve të NIS-it i përkasin “Gazprom Neft”, kompanisë ruse të goditur nga sanksionet amerikane. Kjo situatë e ka vendosur Serbinë “një hap larg krizës energjetike në mes të dimrit”, pasi rafineria e vetme e naftës në vend rrezikon ndërprerjen e operimeve.
Presidenti Vuçiç ka bërë thirrje urgjente për marrjen e një vendimi brenda shtatë ditëve, duke theksuar se dëshiron të shmangë çdo formë nacionalizimi apo konfiskimi të aksioneve. “Sankcionet kanë goditur fuqishëm Serbinë”, shkruan Stern, ndërsa analistët paralajmërojnë se varësia nga furnizimet ruse e bën situatën edhe më të brishtë.
Edhe gazeta austriake Der Standard thekson se Serbia është futur në një kurth të krijuar nga vetë politika e saj: “Shitja e NIS-it për vetëm 400 milionë euro në vitin 2008 i dha Serbisë mbështetje politike nga Moska, por çmimi tani po paguhet me varësi të thellë energjetike.”
Standard paralajmëron se edhe kompanitë dhe bankat që bashkëpunojnë me NIS-in mund të preken nga sanksionet amerikane.
Shtabi kryesor (gjeneral) i ish Ushtris Jugosllave – simbolika, politika dhe përplasjet
Në një tjetër analizë, Frankfurter Allgemeine Zeitung ndalet te debati i nxehtë për fatin e ndërtesës së General Shtabit në Beograd, të shënjestruar nga bombardimet e NATO-s më 1999.
Gazetari Michael Martens shkruan se ndërtesa është kthyer në element të narrativës serbe për “padrejtësitë e bëra ndaj popullit serb”, megjithëse NATO, sipas tij, reagoi ndaj “krimeve të kryera në Kroaci, Bosnjë dhe represionit ndaj shqiptarëve në Kosovë”.
Martens thekson se qeveria e Vuçiçit po përpiqet t’i japë truallin e ndërtesës Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa shoqëria civile, ekspertët dhe aktivistët kundërshtojnë idenë që një objekt i tillë me vlerë arkitekturore dhe historike të shndërrohet në hotel.
Snežana Kwadvligh-Mihailović nga organizata “Europa Nostra” tha për FAZ se General Shtabi është një “remek-velë i arkitekturës moderne europiane” dhe se mbrojtja e tij nuk lidhet me nacionalizëm. Sipas saj, debati duhet të jetë profesional e i hapur, jo politik.
Martens thekson se në Serbi kritikët e projektit shpesh etiketohen si “agjentë të huaj”, duke kujtuar një taktikë të njohur të qeverisë serbe. Ai mbyll shkrimin me një thënie ironike:
“Po të ishte bombarduar më temeljisht më 1999, Vuçiçi sot do ta kishte më të lehtë t’i ofronte tokën familjes Trump.”
Sipas shtypit gjerman, Serbia po ecën në një fije të hollë mes krizës energjetike, varësisë nga Rusia dhe përpjekjeve për të ruajtur raporte të favorshme me SHBA-në. Debati rreth General Shtabit, ndërkohë, tregon përplasjen mes ruajtjes së trashëgimisë dhe interesave politike, duke zbuluar tensionet e brendshme të shoqërisë serbe në një moment vendimtar./Qendra.INFO

