Shukri Buja ka vazhduar aktivitetet elektorale në Lipjan me një takim në Magurë, ku bashkë me kandidatin për Kuvend Komunal, Driton Bytyqin, prezantoi programin politik për qytetin.
Në takimin e mbrëmjes, Buja shpalosi vizionin e tij për Lipjanin, duke vënë theksin te: arsimi cilësor, zhvillimi ekonomik lokal, infrastruktura moderne, bujqësia e qëndrueshme, rinia dhe kultura aktive, sporti, shëndeti dhe mirëqenia sociale, turizmi, diaspora dhe një administratë publike më efikase.
“Kjo është rruga jonë për Lipjanin – një vizion që garanton zhvillim dhe mirëqenie për çdo qytetar,” tha Buja para përkrahësve.
Në një tjetër njoftim, ai bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke ftuar simpatizantët e tij që të marrin pjesë në tubimin qendror nesër, më 13 shtator, në orën 19:00, në sheshin “Adem Jashari” në Lipjan.
“Shtabi i degës është i vendosur dhe i mobilizuar. Fitorja është e jona!” – shkroi Buja në rrjete sociale.