Shyhrete Kastrati, motra e dëshmorit Isa Kastrati dhe veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrëfyer se ka kaluar nëntë muaj jashtë sistemit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke u përjashtuar nga puna pa asnjë arsye të qartë.
Në një intervistë për T7, ajo tha se menaxhmenti i MPJD-së e kishte vlerësuar “të papërshtatshme” për pozitën që kërkonte, ndonëse më parë kishte ushtruar detyrën e drejtoreshës së departamentit. Kastrati tregoi se gjatë asaj periudhe të vështirë, stafi ishte udhëzuar të mos komunikonte fare me të.
“Kam mbetur jashtë sistemit në Ministrinë e Punëve të Jashtme për nëntë muaj. Si duket kam qenë e papërshtatshme për menaxhmentin, për politikën. Unë e kisha kërkuar pozitën ku kisha punuar me vite, vetëm me një ndryshim emri. Ajo që e bëri edhe më të vështirë ishte fakti që stafit iu ndalua të flasë me mua,” tha Kastrati.
Sipas saj, kjo përvojë ka qenë goditje personale dhe profesionale, duke besuar se arsyeja lidhet me faktin që ajo është veterane e UÇK-së.
“Arsyet nuk i di. Unë mendoj se ishte goditje e drejtpërdrejtë sepse jam veterane e UÇK-së,” deklaroi ajo.
Pavarësisht situatës, Kastrati theksoi se vendin e punës nuk e ka humbur, pasi nuk ka pasur keqpërdorime në punë. Pas muajve të izolimit administrativ, ajo është transferuar në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, ku vazhdon punën.
Rrëfimi i saj ka hapur diskutime të reja mbi trajtimin e stafit civil në institucione dhe ndikimin politik në administratën publike.

