Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Opinionet

Si dështoi reforma në drejtësi në Itali – Një analizë krahasuese ndërmjet sistemit gjyqësor në Itali me Republikën e Kosovës

Qendra Info by Qendra Info
25/03/2026
in Opinionet
0
Si dështoi reforma në drejtësi në Itali – Një analizë krahasuese ndërmjet sistemit gjyqësor në Itali me Republikën e Kosovës
0
SHARES
30
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Nga: Prof. Asoc. Dr. Orhan M. Çeku

Dështimi i referendumit për reformën në drejtësi në Itali

Referendumi i mbajtur në Itali me datën 23 mars 2026, për reformën në drejtësi shënoi një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe raportin ndërmjet qytetarëve dhe pushtetit. I konceptuar si një ndërhyrje e thellë në strukturën kushtetuese të sistemit gjyqësor, ky proces synonte të ndryshonte balancat tradicionale ndërmjet gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke prekur një nga shtyllat më të ndjeshme të shtetit të së drejtës. Megjithatë, rezultati i referendumit dëshmoi se legjitimiteti i reformave të mëdha nuk buron vetëm nga vullneti politik, por mbi të gjitha nga pranueshmëria qytetare. Italia si një vend me kulturë, histori dhe traditë në fushën e drejtësisë, nuk mund të lejonte reformat të thella në drejtësi përmes vullnetit politik, por me legjitimitet popullor përmes referendumit.

Në një klimë të polarizuar politike dhe profesionale, qytetarët italianë zgjodhën të refuzojnë propozimet për ndryshim, duke shprehur një qëndrim kritik ndaj përmbajtjes së reformës dhe mënyrës së saj të artikulimit. Ky refuzim nuk përfaqëson thjesht një kundërshtim teknik ndaj dispozitave të propozuara, por një mesazh më të gjerë mbi nevojën për reforma të balancuara, gjithëpërfshirëse dhe të ndërtuara mbi konsensus institucional. Në këtë kuptim, referendumi shndërrohet në një akt të rëndësishëm të sovranitetit popullor, ku vota qytetare vepron si mekanizëm korrigjues ndaj iniciativave politike që perceptohen si të njëanshme me mungesë të konsensuesit të gjërë shoqëror në vend.

Dështimi i kësaj reforme hap një debat të ri mbi drejtimin që duhet të marrë sistemi i drejtësisë në Itali, por njëkohësisht ofron edhe mësime të vlefshme për shtetet e tjera që synojnë transformime të ngjashme në këtë fushë. Ai rikujton se reforma në drejtësi nuk është vetëm çështje teknike apo juridike, por edhe proces thellësisht politik e shoqëror, që kërkon besim, transparencë dhe mbi të gjitha, miratim nga qytetarët.

Rezultatit i referendumit, ku rreth 54 % e italianëve e refuzuan reformën, dhe vetëm rreth 46 për qind votuan pro saj, tregon qartë për mungesën e besimit qytetar dhe konsensuesit të të gjitha palëve të përfshira në proces. Reforma ishte një nga projektet kryesore të qeverisë së djathtë italiane të Kryeministres Giorgia Meloni dhe parashikonte ndryshime në disa nene të Kushtetutës italiane dhe legjislacionit të aplikueshëm. Një nga pikat kryesore ishte ndarja funksionale e roleve ndërmjet gjyqtarëve dhe të prokurorëve, ashtu siç është në shumicën e vendeve evropiane, duke përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Kundërshtarët e reformes, te udhëhequr nga opozita italiane, i frikësoheshin ndërhyrjes në pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Ata e akuzuan Kryeminstren Meloni se synonte të rrisë ndikimin e saj mbi sistemin gjyqësor. Sipas tyre sidomos prokuroria mund të bëhej pre e ndikimit politik, ndërsa problemet strukturore si zgjatja e proceseve gjyqësore dhe mbipopullimi i burgjeve do të mbeteshin të pazgjidhura.

Sistemi aktual gjyqësor në Itali

Sistemi aktual gjyqësor në Itali përbën një nga modelet më karakteristike të traditës juridike kontinentale evropiane, i bazuar në parimet e së drejtës civile (civil law). Ai funksionon mbi bazën e Kushtetutës së Republikës Italiane, e miratuar në vitin 1948, e cila garanton ndarjen e pushteteve, pavarësinë e gjyqësorit dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Në thelb, sistemi gjyqësor italian është i organizuar në disa degë kryesore: gjyqësori civil, penal dhe administrativ. Çdo degë ka strukturën dhe juridiksionin e vet, por të gjitha funksionojnë në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe të drejtës për një proces të rregullt gjyqësor.

Në fushën civile dhe penale, sistemi është i organizuar në tri nivele kryesore. Niveli i parë përfshin gjykatat e shkallës së parë, siç janë “Giudice di Pace” (gjyqtari i paqes) për çështje më të vogla dhe Tribunale për çështje më komplekse. Në nivelin e dytë ndodhen gjykatat e apelit, të njohura si Corte d’Appello, të cilat shqyrtojnë ankesat kundër vendimeve të shkallës së parë. Në majë të këtij sistemi qëndron Gjykata e Kasacionit (Corte di Cassazione), e cila nuk shqyrton faktet, por siguron interpretimin e njëtrajtshëm të ligjit dhe garanton zbatimin korrekt të tij në të gjithë territorin e vendit.

Një veçori e rëndësishme e sistemit italian është ekzistenca e një juridiksioni të veçantë administrativ, që trajton mosmarrëveshjet ndërmjet qytetarëve dhe administratës publike. Ky sistem kryesohet nga Consiglio di Stato dhe përfshin gjithashtu gjykatat administrative rajonale (TAR). Këto institucione luajnë rol kyç në kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe në mbrojtjen e të drejtave të individëve ndaj shtetit.

Përveç këtyre, sistemi gjyqësor italian përfshin edhe Gjykatën Kushtetuese (Corte Costituzionale), e cila ka një rol thelbësor në garantimin e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo shqyrton kushtetutshmërinë e ligjeve, zgjidh konfliktet ndërmjet pushteteve dhe ndërmjet shtetit dhe rajoneve, si dhe vendos mbi përgjegjësinë kushtetuese të funksionarëve të lartë.

Sa i përket bazës ligjore, sistemi mbështetet në disa kode themelore që rregullojnë fusha të ndryshme të së drejtës. Ndër më të rëndësishmit janë Kodi Civil Italian dhe Kodi Penal Italian, si dhe kodet procedurale përkatëse, të cilat përcaktojnë rregullat e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Këto kode janë përditësuar ndër vite për të reflektuar ndryshimet shoqërore, ekonomike dhe ndikimet e së drejtës së Bashkimit Evropian.

Një element kyç i funksionimit të sistemit është pavarësia e gjyqësorit, e garantuar nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës (Consiglio Superiore della Magistratura). Ky organ është përgjegjës për emërimin, promovimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke siguruar që ata të veprojnë pa ndikime politike apo presione të jashtme.

Në aspektin procedural, sistemi italian karakterizohet nga një kombinim i elementeve inkuizitorë dhe kontradiktorë, veçanërisht në procedurën penale, ku roli i prokurorit dhe gjyqtarit është aktiv në hetim, ndërsa mbrojtja gëzon të drejta të garantuara për një proces të drejtë. Reforma të rëndësishme janë ndërmarrë në dekadat e fundit për të rritur efikasitetin e gjykatave dhe për të reduktuar vonesat procedurale, të cilat historikisht kanë qenë një sfidë për sistemin italian.

Në përfundim, sistemi gjyqësor italian përfaqëson një strukturë të konsoliduar dhe komplekse, e ndërtuar mbi parimet e shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve dhe mbrojtjes së të drejtave themelore. Pavarësisht sfidave që lidhen kryesisht me efikasitetin dhe kohëzgjatjen e proceseve, ai mbetet një sistem funksional dhe i harmonizuar me standardet evropiane.

Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës

Sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndërtuar mbi parimet e shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ky sistem bazohet në Kushtetuta e Republikës së Kosovës (kapitulli VII i Kushtetutës), e cila garanton pavarësinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë.

Sipas Kushtetutës (neni 102), pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat e rregullta. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij dhe siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme. Struktura e sistemit gjyqësor në Kosovë është e organizuar në tri nivele kryesore. Në nivelin e parë funksionojnë gjykatat themelore, të cilat kanë kompetencë për të shqyrtuar shumicën e çështjeve civile dhe penale dhe kundërvatjes. Sipas Ligjit për Gjykatat (Ligji Nr. 06/L – 054), ekzistojnë 7 gjykata themelore të shpërndara në 7 qendrat kryesore të Kosovës. Secila Gjykatë themelore i ka edhe deget e veta në komunat më të vogla. Në nivelin e dytë vepron Gjykata e Apelit, e cila shqyrton ankesat kundër vendimeve të gjykatave themelore. Në krye të sistemit qëndron Gjykata Supreme e Kosovës, si instanca më e lartë gjyqësore, e cila siguron zbatimin unik të ligjit, nxjerë mendime juridike dhe qëndrime parimore dhe vendos për mjetet juridike të jashtëzakonshme. Në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovë, vepron edhe Gjykata Adminsitrative si gjykatë e shkallës së parë, vendime te së cilës janë të barasvlershme me vendimet e gjykatave themelore. Gjykata Adminsitrative është themeluar dhe vepron në bazë të Ligjit nr. 08/L-291 për Gjykatën Administrative. Funksionalizimi i saj është realizuar në vitin 2026, pas përgatitjeve të bëra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Gjykata Administrative ka juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe është kompetente për të vendosur për  të gjitha konfliktet administrative;  të gjitha kontestet nga marrëdhënia e punës, në mes të personit fizik dhe organit publik, ose në mes të organeve publike, përjashtuar ndërmarrjet publike; çfarëdo kontesti tjetër të përcaktuar shprehimisht me ligj të veçantë. Kundër vendimeve të marra në Gjykata Adminsitrative, palët kanë të drejtë ti drejtohen me ankesë Gjykatës së Apelit. Selia e Gjykatës është në Prishtinë.

Pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës është e dhe Gjykata Komerciale e cila është themeluar dhe vepron në bazë të Ligji nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale. Selia e Gjykatës është në Prishtinë dhe ka juridiksion në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata Komerciale gjykon çështjet brenda kompetencës së saj në dhomat e shkallës së parë dhe në dhomat e shkallës së dytë. Vendimet e shkallës së parë janë të barasvlershme me vendimet e Gjykatës Themelore, kurse vendimet e dhomës së dytë janë të barasvlershme me vendimet e Gjykatës së Apelit.

Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar, dhe ka juridiksion ekskluziv për:  kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, si dhe kontestet ndërmjet personave juridikë publikë dhe privat, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare dhe çështje tjera mes tyre; të gjitha mjetet juridike, siç përcaktohet me ligjin e aplikueshëm për procedurën përmbarimore, për çështje brenda kompetencës të kësaj gjykate; njohjen dhe lejimin e zbatimit të vendimeve të arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar; kontestet gjyqësore që rrjedhin nga Ligji në fuqi për Shoqëritë Tregtare; riorganizimi, falimentimi dhe shuarja e shoqërive tregtare;  kontestet në lidhje me pengimin e posedimit në mes të shoqërive tregtare; kontestet në mes shoqërive tregtare lidhur me të drejtat sendore, siç është e paraparë me Ligjin për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare; kontestet që lidhen me shkeljen e konkurrencës, keqpërdorimit ose monopolit dhe pozitës dominuese në treg, si dhe marrëveshjet monopole duke përfshirë vlerësimin e paligjshmërisë;  mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe pronësisë industriale, përfshirë markat tregtare, patentat, dizajnët industriale, sekretet tregtare dhe format e tjera të pronësisë industriale, siç parashihet nga legjislacioni përkatës; kontestet ndërmjet kompanive të aviacionit që i nënshtrohen Ligjit për Aviacionin, duke përjashtuar kontestet në lidhje me të drejtat e pasagjerëve.

Një rol të veçantë në sistem ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve të tjera. Ajo gjithashtu mbron të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë dhe shqyrton ankesat individuale për shkelje të këtyre të drejtave.

Sistemi prokurorial është i organizuar në mënyrë të ndarë, por funksionalisht i lidhur me sistemin gjyqësor. Ai udhëhiqet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili garanton pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe funksionimin efikas të prokurorisë. Në krye të sistemit prokurorial qëndron Prokurori i Shtetit i Kosovës, i cili përfaqëson institucionin e ndjekjes penale.

Struktura e prokurorisë përfshin Prokurorinë Themelore, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e cila trajton rastet më të rënda, si krimi i organizuar, korrupsioni i nivelit të lartë dhe krimet e luftës, Prokurorinë e Apelit, Zyra e Kryeprokurorit dhe Kryeprokurori i Shtetit. Prokuroria ka rol kyç në inicimin dhe zhvillimin e procedurave penale, duke bashkëpunuar me policinë dhe organet tjera të zbatimit të ligjit.

Sa i përket bazës ligjore, sistemi mbështetet në një sërë ligjesh dhe kodesh themelore, ndër të cilat më të rëndësishmet janë Kodi Penal i Kosovës dhe Kodi i Procedurës Penale i Kosovës në fushën penale, si dhe ligje të tjera që rregullojnë procedurat civile (Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve; Ligji për Procedurën Kontestimore, Ligji për Proceduren Jokontestimore; Ligji për Procedurën Përmbarimore) administrative (Ligji për Konfliktet Administrative; Ligji i Punës) ekonomike – komerciale (Ligji për Shoqëritë Tregtare; Ligji për Falimentim; Ligji për Markat Tregtare) dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Këto akte janë harmonizuar në masë të madhe me standardet evropiane dhe praktikat ndërkombëtare.

Pavarësia e gjyqësorit garantohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i cili është përgjegjës për emërimin, vlerësimin, disiplinimin dhe zhvillimin profesional të gjyqtarëve. Ky institucion luan rol thelbësor në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së sistemit gjyqësor.

Në aspektin funksional, sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë bazohet në parimin e procedurës kontradiktore, ku palët kanë të drejtë të paraqesin provat dhe argumentet e tyre në mënyrë të barabartë para një gjykate të pavarur dhe të paanshme. Po ashtu, garantohen parimet e procesit të rregullt ligjor, si prezumimi i pafajësisë, e drejta për mbrojtje dhe gjykimi brenda një afati të arsyeshëm.

Në vitet e fundit janë ndërmarrë reforma të rëndësishme me qëllim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin e drejtësisë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, sfida të caktuara vazhdojnë të ekzistojnë, sidomos në aspektin e ngarkesës së lartë të lëndëve, kohëzgjatjes së procedurave dhe forcimit të mëtejmë të besimit publik.

Në përfundim, sistemi gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë paraqet një strukturë moderne dhe funksionale, e ndërtuar mbi standardet ndërkombëtare dhe parimet e shtetit të së drejtës. Ai vazhdon të zhvillohet përmes reformave të vazhdueshme, me synim forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin efektiv të të drejtave të qytetarëve.

Krahasimi i sistemit të drejtësisë ndërmjet Italisë dhe Kosovës

Për të kuptuar më qartë natyrën dhe funksionimin e drejtësisë në kontekste të ndryshme juridike, është e nevojshme të analizohen dallimet thelbësore ndërmjet sistemit gjyqësor të Itali dhe atij të Kosovë, të cilat reflektojnë tradita, organizime institucionale dhe qasje të ndryshme ndaj ndarjes së pushteteve. Në vijim janë shpjeguar dallimet kryesorë të këtyre dy sistemeve si dhe reformes së dështuar.

  1. Statusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve

Italia (modeli ekzistues): Gjyqtarët dhe prokurorët janë pjesë e një trupi të vetëm: “Magjistratura”.  Si gjyqtarë ashtu edhe prokuroët mund të kalojnë nga një rol në tjetrin gjatë zhvillimit të karrierës.

Filozofia e sistemit të drejtësisë sipas modeli tradicional thekson unitetin e magjistraturës sidhe Prokurori shihet si “magjistrat i paanshëm”. Reforma synonte model më të afërt me: sistemin akuzues (adversarial) ku prokurori është i ndarë nga gjyqtari.

Reforma e dështuar – Ndarje funksionale plotë e funksioneve: Nuk do të lejohej kalimi nga prokuror në gjyqtar dhe anasjelltas.

Në Republikën e Kosovës ashtu siç u theksua më lartë ekziston ndarja e qartë e roleve funksionale dhe kompetencave ndërmjet gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gjyqtarët dhe prokurorët kanë karriera të veçanta. Kosova tashmë e ka modelin që Italia synonte ta krijonte me reformë.

  1. Organet drejtuese

Sipas sistemit aktual në fuqi në Itali, ekziston një organ i vetëm menaxhues i sistemit gjyqësor dhe prokurorial e ai është “Këshilli i Lartë i Magjistraturës (CSM)”. Ky organ menaxhon si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët. Me ndryshimet kushtetuese – reforma e dështuar, parashihej që themelohen dy organe të ndrsyhme pëe menaxhimin e prokurorisë dhe gjyqsorit: 1 këshill për gjyqtarët dhe 1 këshill për prokurorët.

Në Republikën e Kosovës në bazë të Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi ekzistojnë dhe funksionojnë dy organe të ndrshme menaxhuese: Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Struktura aktuale e menaxhimit të sistemit të drejtësisë në Kosoëe është tashmë e ndarë — në linjë me reformën e dështyar italiane.

  1. Procedura disiplinore ndaj gjyqtrëve dhe prokurorëve

Sipas sistemit aktual në fuqi në Itali, procedura disiplinore ndaj gjyqatrëve dhe prokurorëve menaxhohet nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës (CSM). Me ndryshimet e propozuara të cilat dështuan, parashihej që të krijohej një gjykatë e veçantë disiplinore.

Procedura disiplinore ndaj gjyqatrëve dhe prokurorëve në Republikën e Kosovës menaxhohet nga Këshilli Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshilli Prokurorial për prokurorët, në përputhje me Lgji nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Duhet përmendur se kundër vendimeve për masë displinore të shqiptuara nga KGjK-ja për gjyqtarë dhe KPK-ja për prokuror, pala e pakënaqur ka të drejtë paraqesë ankesë direkt në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Italia tentoi një model më “gjyqësor” për disiplinën; Kosova mbetet në model miks administrativ – gjyqësor.

Ç. Përbërja e KGjK-së dhe KPK-së (përzgjedhja e anëtarëve)

 Sipas reformës së propozuar nga Qeveria italiane, parashikohej përdorimi i shortit (lotarisë) për zgjedhjen e disa anëtarëve të KGjK-së dhe KPK-së, me synimin e uljes së ndikimit të grupeve brenda sistemit. Ky ishte një nga elementet më të kontestuara të reformës italiane. Këto ndryshime u interpretuan si përpjekje për shtrirje të ndikimit politik në organet e drejtësisë.

Në Kosovë, përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është e rregulluar me Kushtetutë (neni 108). Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë: (1) Pesë (5) anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit; (2) Katër (4) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy (2) nga katër (4) anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një (1) do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës; (3) Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar; (4) Dy (2) anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar. Përbërja e KGJK sipas Kushtetutës është një kombinim i balancuar i autonomisë së gjyqësorit dhe përfaqësimit demokratik, duke siguruar profesionalizëm, diversitet dhe legjitimitet institucional. Megjithatë, kjo strukturë kërkon një menaxhim të kujdesshëm të marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve për të shmangur konfliktet dhe për të garantuar funksionimin efikas të sistemit gjyqësor.

Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij, në pajtim me ligjin. Përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe dispozitat për emërimin, shkarkimin, mandatin, strukturën organizative dhe rregullat e procedurës, rregullohen me ligj. Sipas Ligjit nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial Të Kosovës, KPK-ja përbëhet nga 7 anëtar. Anëtarë të KPK-së; janë: Kryeprokurori i Shtetit sipas detyrës zyrtare; tre (3) anëtarë prokurorë, të zgjedhur nga sistemi prokurorial, si në vijim: një (1) prokuror i zgjedhur nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Speciale, Prokurorisë së Apelit apo Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit; dy (2) prokurorë të zgjedhur nga radhët e prokurorive themelore, dhe tre (3) anëtarë jo prokurorë, të zgjedhur nga Kuvendi. Ndryshimet në përbërjen e KPK-së kanë ngritur dilema në opinionit publik për rrezikun e kapjes së sistemit nga politika dhe shtrirjes së ndikimit në organin e akuzës.

Autori është profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë dhe ligjërues i lëndës Bazat e Sistemit Gjyqësor.

Artikulli është shkruar ekskluzivisht për portalin informative qendra.info.

Related

Previous Post

Haxhiu: 174 projektligje në pritje, Kuvendi i bllokuar nga masa e Kushtetueses

Next Post

Tragjike: 29-vjeçarja nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar vdesin në një aksident në Gjermani

Next Post
Tragjike: 29-vjeçarja nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar vdesin në një aksident në Gjermani

Tragjike: 29-vjeçarja nga Kosova dhe djali i saj trevjeçar vdesin në një aksident në Gjermani

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.