Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian deklaruan të mërkurën se Groenlanda “nuk është për t’u marrë”, në një moment kur Shtëpia e Bardhë ka rikthyer hapur mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane. Nëse më herët kërcënimet e Donald Trump për aneksimin e Groenlandës ishin parë si retorikë politike, sot në Evropë ato po trajtohen si skenar real.
Politikëbërësit evropianë nuk po e injorojnë më tonin agresiv të presidentit amerikan dhe po kërkojnë me urgjencë mënyra për ta frenuar atë.
“Duhet të jemi të përgatitur për një përballje të drejtpërdrejtë me Trumpin. Ai është në një fazë agresive dhe ne duhet të jemi gati”, ka thënë një diplomat i BE-së i përfshirë në diskutimet e brendshme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se javën e ardhshme do të diskutojë me autoritetet daneze çështjen e blerjes së Groenlandës nga SHBA-të. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se preferenca e Trumpit është një marrëveshje përmes negociatave, por nuk ka përjashtuar as skenarin e përdorimit të forcës.
Reagimi evropian dhe frika nga precedenti
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, tha se së bashku me homologët nga Gjermania dhe Polonia po diskutojnë një përgjigje të përbashkët evropiane.
“Ajo që është në lojë është mënyra se si BE-ja mund të forcohet për të penguar kërcënimet ndaj sigurisë dhe interesave të saj. Groenlanda nuk është në shitje dhe nuk është për t’u marrë”, theksoi ai.
Sipas zyrtarëve dhe diplomatëve të NATO-s, ekziston një ndjenjë konfuzioni dhe mungesë gatishmërie përballë një skenari të tillë.
“Të gjithë janë të habitur. Askush nuk e di saktësisht se çfarë kemi realisht në ‘kutinë e mjeteve’. Amerikanët mund të bëjnë çfarë të duan, por ne duhet të kemi përgjigje tani, jo pas disa vitesh”, tha një ish-deputet danez.
Opsioni 1: Kompromis dhe rritje e sigurisë
Trump argumenton se Groenlanda është jetike për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe se Danimarka nuk po bën mjaftueshëm për ta mbrojtur territorin nga prania ruse dhe kineze në Arktik.
Një zgjidhje e negociuar, që do t’i lejonte Trumpit të paraqesë një “fitore” politike pa humbje të sovranitetit danez, shihet si rruga më e shpejtë për shmangien e përplasjes.
Në këtë kuadër, NATO po shqyrton rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në Arktik, më shumë stërvitje ushtarake dhe mundësinë e vendosjes së trupave aleate në Groenlandë. Po diskutohet edhe krijimi i një iniciative të re sigurie, e ngjashme me “Eastern Sentry” apo “Baltic Sentry”.
Opsioni 2: Investime masive për Groenlandën
Administrata Trump ka shprehur hapur mbështetjen për pavarësinë e Groenlandës, duke lënë të kuptohet se një Groenlandë e pavarur do të përfitonte ndihmë masive financiare nga SHBA-të.
Në kundërpërgjigje, BE-ja dhe Danimarka po përpiqen t’i bindin qytetarët e Groenlandës se mund të ofrojnë një alternativë më të qëndrueshme. Brukseli planifikon pothuajse dyfishimin e fondeve për Groenlandën nga viti 2028, duke arritur rreth 530 milionë euro për një periudhë shtatëvjeçare.
Fokusi do të shtrihet nga mirëqenia sociale dhe infrastruktura, drejt zhvillimit të sektorit minerar dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore në dobi të vetë territorit.
Opsioni 3: Presion dhe hakmarrje ekonomike
BE-ja ka në dispozicion Instrumentin Kundër-Shtrëngimit, i njohur si “bazuka tregtare”, që lejon masa hakmarrëse kundër presionit ekonomik nga vende të treta.
Sipas zyrtarëve evropianë, BE-ja ka ndikim të madh në tregun amerikan, pasi për një pjesë të konsiderueshme të eksporteve ka mbi 50 për qind të tregut.
Megjithatë, dilema mbetet nëse Trump do ta marrë seriozisht një kërcënim të tillë, duke pasur parasysh se në mandatin e tij të parë BE-ja shpesh nuk kaloi nga fjalët në veprime.
Opsioni 4: Prani ushtarake dhe skenari ekstrem
Nëse SHBA-të vendosin të ndërhyjnë ushtarakisht, opsionet e Evropës janë shumë të kufizuara. Ligjërisht, Danimarka do të ishte e detyruar të përgjigjej, pasi çdo sulm ndaj territorit të saj kërkon reagim të menjëhershëm ushtarak.
Disa diplomatë kanë hedhur idenë e vendosjes së trupave evropiane në Groenlandë për të rritur koston politike dhe strategjike të një ndërhyrjeje amerikane. Edhe pse kjo nuk do të ndalte një operacion të madh ushtarak, do të shërbente si pengesë simbolike.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky është territor i pashkelur politikisht dhe ushtarakisht dhe se rreziku për përshkallëzim serioz dhe humbje jetësh është real.

