Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet në territorin e Republikës së Kosovës paraqitet kryesisht e qetë, stabile dhe nën kontroll. Sipas përditësimit të fundit të publikuar më 9 janar 2026 në orën 12:00, pas ndërprerjes së reshjeve intensive të shiut dhe kalimit gradual në reshje bore, niveli i ujit në lumenj ka shënuar rënie dhe në shumicën e rajoneve nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje emergjente.
AME bën të ditur se në rajonin e Prishtinës situata është e qetë dhe po monitorohet pa pasur nevojë për intervenime. Edhe në rajonin e Prizrenit nuk janë raportuar thirrje emergjente, ndërsa rrugët mbesin të kalueshme, me kujdes të shtuar në zonat malore për shkak të ngricave. Në Mitrovicë gjendja është stabilizuar dhe ekipet vazhdojnë mbështetjen për personat e evakuuar më herët.
Në rajonin e Pejës situata është stabile në të gjitha komunat, përjashtim bën rruga Junik–Jasiq, e cila vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të shembjes së dheut. Në Gjakovë është shënuar rënie e nivelit të ujit në lumenj, ndërsa disa bllokime lokale të rrugëve janë shkaktuar po ashtu nga shembjet e dheut. Ndërkohë, në rajonin e Gjilanit nuk janë raportuar vërshime dhe gjendja konsiderohet e qetë.
Agjencia ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor, pasi reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi në disa zona, veçanërisht në rrugët malore dhe ato dytësore.
AME thekson se institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme 24 orë në ditë. Qendra Operative e Agjencisë është e gatshme të reagojë dhe të koordinojë ndihmën sipas nevojës.
Në fund të njoftimit, AME ka falënderuar zjarrfikësit-shpëtues, Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryetarët e komunave dhe drejtoritë komunale, Shoqatën e Kërkimit dhe Shpëtimit të Kosovës, OJQ-të dhe sektorin privat për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në menaxhimin e situatës, në koordinim me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

