Futbolli turk është përfshirë nga një prej skandaleve më të mëdha në historinë e tij. Federata Turke e Futbollit (TFF) ka njoftuar sot se 1,024 lojtarë profesionistë janë referuar në Komitetin Disiplinor (PFDK) për përfshirje në aktivitete të paligjshme bastesh.
Vetëm pak kohë më parë, mbi 500 gjyqtarë nga sporte të ndryshme ishin nën hetim, prej të cilëve 145 janë pezulluar.
Sipas TFF-së, referimet janë bërë në bazë të nenit 57 të Rregullores Disiplinore, që ndalon kategorikisht çdo formë bastesh nga lojtarë apo zyrtarë sportivë.
Në listën e të akuzuarve përfshihen edhe emra të njohur të futbollit turk, si:
- Ersin Destanoglu dhe Necip Yusal (Beşiktaş)
- Metehan Baltacı dhe Eren Elmali (Galatasaray)
- Boran Baskan dhe Salih Malkocoglu (Trabzonspor)
Komiteti i Çështjeve Ligjore të TFF-së ka bërë të ditur se do të ndërmerren masa disiplinore menjëherë, ndërsa hetimet pritet të thellohen në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.
Për shkak të situatës, Federata ka nisur bisedime me FIFA-n për të hapur një “dritare të jashtëzakonshme transferimesh” prej 15 ditësh, me qëllim që klubet të zëvendësojnë lojtarët e pezulluar.
Gjithashtu, ndeshjet e Divizionit të 2-të dhe të 3-të janë shtyrë për dy javë, ndërsa Süper Liga dhe Divizioni i Parë do të vazhdojnë sipas kalendarit.
TFF ka sqaruar se rastet që përfshijnë 47 lojtarë të cilët kanë vendosur vetëm një bast do të rishqyrtohen veçmas, por hetimet pritet të zgjerohet edhe më tej, në varësi të provave që do të dalin nga institucionet shtetërore.

