Procesi i numërimit të votave në Mitrovicë është ndërprerë nga Prokuroria pas dyshimeve për manipulim të fletëvotimeve. Zyrtarë të partive opozitare kanë ngritur shqetësime se në disa vendvotime po shfaqen mospërputhje mes numrit serik të fletëvotimeve dhe qendrave ku kanë votuar qytetarët, duke e krahasuar këtë me fenomenin e njohur si “treni bullgar”.
Kryetari i AKR-së në Mitrovicë, Gjergj Beka, ka deklaruar për Paparacin se rasti po vërtetohet në rinumërim.
“‘Treni bullgar’, apo siç po quhet ‘treni qeveritar’, si duket po konfirmohet në Mitrovicë, pasi fletëvotimet nuk po përputhen me vendvotimet ku kanë votuar qytetarët. Kjo është vërejtur përmes numrit serik në fletëvotime”, ka thënë Beka.
Ai ka bërë të ditur se deri në këtë moment janë identifikuar rreth 20 fletëvotime të dyshimta, ndërsa pret që ky numër të rritet gjatë rinumërimit të plotë.
Në një reagim në Facebook, Beka ka shkruar me ironi se “treni duket se do ta lërë dikë në mes të rrugës”, duke lënë të kuptohet se procesi mund të ndryshojë rezultatin përfundimtar në Mitrovicë.
Prokuroria tashmë ka urdhëruar pezullimin e rinumërimit dhe pritet të hetojë nëse bëhet fjalë për ndërhyrje të qëllimshme dhe organizuar në procesin zgjedhor.
Sipas rezultateve preliminare të së dielës, Faton Peci ka marrë 53.47% të votave, ndërsa Arian Tahiri 46.53%.

