15 tetor 2025 | Zvicër — Një skandal tronditës ka shpërthyer në Zvicër, teksa drejtësia po heton një rast përdhunimi që përfshin rrethin e ngushtë të familjes së legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.
Sipas aktakuzës, një pilot australian garash, mik i ngushtë i djalit të Schumacherit, Mick, akuzohet se ka përdhunuar infermieren që kujdesej për ish-kampionin brenda rezidencës familjare në Gland, në fund të vitit 2019.
Gazeta zvicerane 24heures.ch raporton se familja Schumacher nuk ka asnjë përfshirje në këtë rast, përveç faktit se incidenti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e tyre. Asnjë anëtar i familjes nuk ishte i pranishëm në momentin e ngjarjes.
Viktima, atëherë në të tridhjetat, ishte pjesë e stafit mjekësor që kujdesej për Schumacherin pas aksidentit tragjik me ski në Meribel në vitin 2013. I pandehuri – gjithashtu në fund të të tridhjetave – ishte një mik i afërt i Mick Schumacherit, me të cilin shpesh fotografohej në gara dhe evente shoqërore.
Sipas dosjes hetimore, mbrëmjen e 23 nëntorit 2019, viktima dhe i pandehuri ishin pjesë e një mbrëmjeje miqësore me alkool, ku gruaja ishte dehur rëndë. Ajo u dërgua në një dhomë për të pushuar, por më vonë piloti është kthyer dhe dyshohet se e ka përdhunuar dy herë.
Të nesërmen, ajo u zgjua pa kujtuar çfarë kishte ndodhur, por gjeti shenja fizike që e tronditën. Pas disa ditësh, përmes mesazheve, i pandehuri e tradhtoi veten me disa deklarata që u përfshinë në dosjen e çështjes.
Viktima vendosi të mos e njoftonte familjen Schumacher, duke pasur frikë se do ta humbiste punën. Ajo e paditi autorin dy vjet më vonë, në janar të vitit 2022 — një vonesë që autoritetet e konsiderojnë të zakonshme në rastet e dhunës seksuale.
Ndërkohë, ajo ishte pushuar nga puna nga familja, edhe pse pretendon se kishte “sjellje profesionale të patëmetë”.
Gjyqi ishte planifikuar për të mërkurën, por mbajtja e tij është e pasigurt, pasi i pandehuri nuk është paraqitur në Zvicër prej muajsh. Ai kishte dëshmuar më herët, duke pretenduar se marrëdhënia ishte “konsensuale”.
Nëse nuk paraqitet, seanca mund të shtyhet, pasi gjykimet në mungesë në raste të tilla janë shumë të rralla në Zvicër.
(Burimi: A2 Televizion / 24heures.ch /Qendra.INFO)