Sot starton edicioni i ri i garave të futbollit në vendin tonë, duke shënuar një fillim të ri për klubet, tifozët dhe vetë Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).
FFK njofton se ka përfunduar të gjitha përgatitjet për një kampionat sa më të mbarë, duke garantuar lojë të ndershme, garë të rregullt dhe standarde të larta organizative.
Risi e këtij sezoni është zbatimi i plotë i platformës digjitale “My FFK”, përmes së cilës të gjitha të dhënat e ndeshjeve do të jenë të qasshme për klubet, zyrtarët dhe opinionin e gjerë. Ky sistem pritet të rrisë nivelin e transparencës dhe efikasitetit në menaxhimin e garave.
Krahas FFK-së, edhe klubet kanë bërë përgatitjet e tyre dhe tashmë janë gati për të hyrë në garë me synime të qarta për këtë sezon. Sipas FFK-së, rritja e shikueshmërisë dhe pjesëmarrja e tifozëve në stadiume mbetet synim i përbashkët. “Futbolli luhet për tifozët. Ata i japin atij ngjyrat e spektaklit dhe e shndërrojnë çdo ndeshje në përjetim unik”, thuhet në njoftim.
Ky edicion pritet të sjellë emocione të shumta jo vetëm në Albi Mall Superligë, por edhe në Raiffeisen Ligën e Parë, e cila këtë vit rikthehet në formatin e saj të një lige unike. Rivaliteti mes skuadrave me traditë dhe atyre që synojnë të shkruajnë histori premton duele të forta dhe të papritura.
Në fund, FFK uroi të gjitha klubet, futbollistët, tifozët, sponsorët, mediat dhe zyrtarët për një sezon të suksesshëm, duke theksuar se objektivi kryesor është prodhimi i futbollit cilësor, spektaklit, rivalitetit të shëndoshë dhe sa më pak lëndime për futbollistët.