Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Seanca është paraparë të nisë në orën 09:00, ndërsa pritet që i pranishëm të jetë edhe vetë kryeministri Kurti, në cilësinë e të dëmtuarit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Klinaku, së bashku me një tjetër person me inicialet N.S., akuzohen se më 30 gusht 2023 kanë kanosur kryeministrin përmes postimeve në rrjetet sociale.
Në dosjen gjyqësore, Klinaku përmendet për ripostimin e një mesazhi me përmbajtje kërcënuese, ku shkruhej:
“…Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”
Rasti pritet të ngjallë vëmendje të gjerë publike, pasi për herë të parë një kryeministër i Kosovës merr pjesë në një proces gjyqësor si palë e dëmtuar në një rast të tillë.