Sot përfundon afati ligjor për partitë politike të regjistruara që dëshirojnë të njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, do të marrin pjesë përmes koalicioneve parazgjedhore.
Kjo periudhë ishte hapur më 24 nëntor.
Sipas të dhënave të deritashme, deri dje në ora 13:00, KQZ, përkatësisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, është njoftuar për formimin e dy koalicioneve zgjedhore:
-
Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga tre parti politike:
-
Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI)
-
Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK)
-
Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)
-
-
Koalicioni “VAKAT”, i përbërë nga tre parti politike:
-
Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB)
-
Bošnjačka Stranka Kosova (BSK)
-
Demokratska Stranka Vatan (DSV)
-
Sipas rregullave në fuqi, koalicioni zgjedhor mund të formohet nga së paku dy parti politike. Pasi koalicioni të certifikohet nga KQZ, asnjëra nga partitë anëtare nuk mund të tërhiqet prej tij deri në certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.
Po ashtu, një parti politike që është pjesë e një koalicioni nuk mund të paraqitet në të njëjtat zgjedhje as si anëtare e një koalicioni tjetër, e as si subjekt i vetëm jashtë koalicionit ekzistues.

