Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë sot në seancë plenare dy raportet e paraqitura nga maxhoranca dhe opozita lidhur me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku.
Kjo votim pritet të përcaktojë fatin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, e cila ndodhet në Kuvend që nga 16 dhjetori i vitit të kaluar.
PS dhe PD me qëndrime të kundërta
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike paraqiten me qëndrime të ndara në lidhje me këtë çështje.
Socialistët argumentojnë se Balluku, e cila është shkarkuar nga funksionet ekzekutive si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe si zëvendëskryeministre, nuk përbën më rrezik për prishjen e provave apo arratisjen. Sipas tyre, SPAK mund të vijojë hetimet pa qenë e nevojshme masa e arrestit me burg.
Për ta rrëzuar kërkesën e SPAK-ut, maxhorancës i nevojiten të paktën 71 vota në Kuvend.
Ndërkohë, opozita ka paraqitur një raport të veçantë ku kërkon heqjen e imunitetit të deputetes për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Demokratët argumentojnë se Balluku mund të ndikojë në procesin hetimor duke intimiduar dëshmitarët ose duke prishur provat.
Raporti i opozitës pritet të lexohet në seancë nga deputeti Oerd Bylykbashi, përballë ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, pasi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është i përjashtuar nga Komisioni i Etikës.
Hetimet e SPAK
SPAK kërkoi në dhjetor autorizimin për arrestimin e Ballukut, pasi më herët kishte vendosur masa ndaj saj, përfshirë ndalimin e daljes jashtë vendit dhe pezullimin nga funksionet qeveritare.
Deputetja socialiste është e pandehur në dosjen e tunelit të Llogarasë, ndërsa po hetohet edhe për disa procedura tenderimi, përfshirë:
-
7 lotet e Unazës së Madhe
-
tenderin e rrugës Thumanë–Kashar
-
dy procedura të tjera të dyshuara tenderimi.
Protestë e opozitës jashtë Kuvendit
Paralelisht me debatin në sallën e Kuvendit, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë para parlamentit, e cila pritet të nisë në të njëjtën kohë me seancën plenare.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale dhe në grupet e anëtarësisë, PD u ka bërë thirrje mbështetësve të saj të mblidhen para Kuvendit në orën 10:00.
Kreu i opozitës, Sali Berisha, i ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë, duke e cilësuar atë një moment të rëndësishëm në përballjen me qeverinë.
Sipas tij, opozita synon të udhëheqë një “kryengritje paqësore” kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Seanca e sotme pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa vendimi i Kuvendit do të përcaktojë nëse SPAK do të marrë ose jo autorizimin për arrestimin e deputetes socialiste.

