Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur detaje të reja nga hetimet për tenderin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, ku në qendër të dyshimeve janë kompanitë “Mabco Construksion”, YDA Group dhe “2A Group”.
Sipas dosjes hetimore, ekzistojnë dyshime se anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit kanë favorizuar këtë konsorcium, duke e kualifikuar dhe shpallur fitues në kundërshtim me rregullat e procedurës konkurruese.
Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të kompanisë “Al-De Corporation LTD”, ndërsa pas pesë vitesh verifikime, SPAK ka konstatuar një sërë shkeljesh serioze në dokumentacion.
Ndër parregullsitë kryesore të evidentuara janë mungesa e bilanceve financiare dhe raporteve të auditimit për vite të caktuara, si dhe mungesa e dokumentacionit mbi përfituesit përfundimtarë të aksioneve për disa nga kompanitë pjesëmarrëse.
Po ashtu, sipas prokurorisë, njëra prej kompanive nuk ka përmbushur kërkesat ligjore për përfaqësimin në ofertë, ndërsa kriteret për kapacitet teknik – si ndërtimi i pistave, terminaleve dhe kullës së kontrollit ajror – nuk janë plotësuar në mënyrë të verifikueshme.
Në një rast konkret, dokumentacioni i dorëzuar për një projekt aeroporti në Kazakistan nuk dëshmon ndërtimin e kullës së trafikut ajror, por mbështetet vetëm në një konfirmim formal.
Në përfundim të hetimeve paraprake, SPAK u ka komunikuar akuzën për “shkelje të barazisë në tendera” shtatë anëtarëve të komisionit, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të favorizuar këtë bashkim operatorësh.
Rasti i aeroportit të Vlorës pritet të thellojë debatin mbi transparencën dhe integritetin e procedurave të mëdha publike në Shqipëri.

