Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, duke ngritur një listë të gjatë akuzash të rënda penale.
Sipas njoftimit zyrtar, Veliaj përballet me 13 akuza, mes tyre korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe fshehje pasurie. Ndërkohë, Ajola Xoxa akuzohet për 12 vepra penale, përfshirë korrupsionin pasiv, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe fshehjen e të ardhurave.
Hetimi ka zbuluar se çifti, në bashkëpunim me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, ka përfituar shuma të mëdha parash dhe pasuri të paluajtshme në mënyrë të parregullt, duke përdorur mekanizma të sofistikuar për fshehjen e burimeve të paligjshme. SPAK thekson se fondet publike dhe lejet e ndërtimit të dhëna nga Bashkia Tiranë kanë përfunduar në interes të drejtpërdrejtë të Veliajt dhe bashkëshortes së tij.
Sipas dosjes hetimore, vetëm Xoxa ka kryer blerje online në vlerën e 86 milionë lekëve, ndërkohë që janë konstatuar edhe qarkullime të mëdha parash jashtë sistemit bankar.
Rasti tashmë i është dërguar për gjykim Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, ndërsa pritet që procesi të kthehet në një nga çështjet më të bujshme gjyqësore të tranzicionit shqiptar.