Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur një rrjet të strukturuar kriminal ndërkombëtar të trafikimit të kokainës, i cili operonte nga vendet e Amerikës Latine drejt Shqipërisë dhe më pas në tregun evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, lënda narkotike importohej e kamufluar në materiale organike, kryesisht në lëkurë gjedhi të kriposur, për t’u përpunuar më pas në Shqipëri në një laborator të sofistikuar të zbuluar në fshatin Qerekë të Fushë Krujës. Ambiente ndihmëse të këtij aktiviteti kriminal janë identifikuar edhe në Tiranë dhe Durrës.
Hetimi, i cili ka zgjatur më shumë se një vit, ka çuar deri tani në arrestimin e 10 personave: shtatë shtetas shqiptarë dhe tre shtetas nga Amerika Latine (Kolumbi dhe Venezuelë). Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 48 tonë material i papërpunuar (afërsisht 850 lëkurë gjedhi), ku dyshohet se ishte fshehur kokaina e importuar në muajt shtator dhe nëntor 2024. Po ashtu, janë konfiskuar 6.1 kilogramë kokainë, sasi të mëdha përzierësish kimikë, pajisje laboratorike, 22 telefona celularë, dy laptopë, karta bankare e SIM, tre automjete si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro, lekë dhe peso kolumbiane.
SPAK bën të ditur se grupi vepronte si një rrjet i mirëorganizuar ndërkombëtar, me role të qarta mes financuesve, transportuesve, përpunuesve dhe shpërndarësve. Një nga elementet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine, të cilët kishin përvojë të specializuar në ekstraktimin dhe përpunimin e kokainës nga materiale organike, duke garantuar cilësi të lartë të produktit final për tregun evropian.
Laboratori në Qerekë dhe ambientet ndihmëse pranë Tiranës dhe Durrësit ishin zgjedhur në mënyrë strategjike, për shkak të afërsisë me aeroportin ndërkombëtar dhe portin e Durrësit, çka lehtësonte transportin dhe shpërndarjen e shpejtë të drogës dhe përbërësve kimikë.
Drejtuesi i SPAK-ut, Altin Dumani, e cilësoi këtë hetim si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe përdorimi i teknikave të posaçme hetimore kanë qenë vendimtare për goditjen e këtij rrjeti. Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, nënvizoi se ky operacion dërgon një sinjal të qartë se strukturat kriminale, sado të sofistikuara, nuk janë të paprekshme.
SPAK falënderoi gjithashtu partnerët vendas dhe të huaj për bashkëpunimin dhe profesionalizmin gjatë fazës së arrestimeve dhe sekuestrimeve, duke theksuar se hetimet për këtë çështje vijojnë.

