Emigrantët në vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) vazhdojnë të përballen me pengesa të mëdha në tregun e punës – duke gjetur më pak mundësi punësimi dhe duke u paguar ndjeshëm më pak se shtetasit vendas. Sipas studimit të ri të OECD-së, situata është veçanërisht e rëndë në Gjermani.
Në vitin 2024, shkalla e punësimit për emigrantët në Gjermani ishte 69.6%, ose 10.3 pikë përqindje më e ulët se ajo e shtetasve gjermanë. Nga 38 vendet e OECD-së, vetëm Turqia dhe Holanda kanë një hendek më të madh punësimi mes emigrantëve dhe vendasve.
Në mesin e emigrantëve me arsim të lartë, diferenca në Gjermani arrin deri në 15%, kryesisht për shkak të mosnjohjes së diplomave dhe kualifikimeve të marra jashtë vendit, thuhet në raport.
Për sa i përket të ardhurave, hendeku është edhe më i thellë. Në vendet e OECD-së, emigrantët fitojnë mesatarisht 34% më pak se shtetasit vendas të së njëjtës moshë dhe gjini. Në Gjermani, ky dallim rritet në 43%.
“Kjo ndodh pjesërisht sepse emigrantët kanë më shumë gjasa të punësohen në pozita me paga të ulëta,” deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann, gjatë prezantimit të studimit.

