Qeveria e Suedisë ka vendosur të ndërpresë ndihmën financiare për Qeverinë e Serbisë, duke përmendur si arsye rritjen e korrupsionit, problemet me lirinë e mediave dhe mungesën e respektimit të parimeve të shtetit të së drejtës.
Në një njoftim zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Suedisë, thuhet se “zhvillimet në Serbi kanë marrë drejtim të gabuar – nga rritja e korrupsionit deri te mosrespektimi i parimeve themelore të sundimit të ligjit”.
Si pasojë, fondet që më parë shkonin për qeverinë serbe do të ridrejtohen për mbështetje të organizatave të shoqërisë civile, të cilat, sipas Suedisë, po luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në vend.
Ky vendim vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe organizatat ndërkombëtare kanë shprehur shqetësime të ngjashme për gjendjen e mediave, pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin e lartë në Serbi.

