Një nga simbolet historike të qëndresës në Ukrainë është shkatërruar nga sulmet e fundit ruse, duke tronditur jo vetëm rajonin, por edhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Bëhet fjalë për rezidencën historike Donets-Zakharzhevsky, një monument arkitektonik i ndërtuar rreth vitit 1835 në zonën Velikiy Burluk, në rajonin e Kharkiv. Ndërtesa kishte mbijetuar dy luftërave botërore, duke u kthyer ndër vite në simbol të rezistencës dhe identitetit lokal.
Megjithatë, ajo nuk i shpëtoi valës së fundit të sulmeve ajrore ruse, që goditën rëndë zonën. Flakët përfshinë objektin historik, ndërsa ekipet e zjarrfikësve luftuan për orë të tëra për ta vënë situatën nën kontroll. Dëmet janë të mëdha dhe ende po vlerësohen nga autoritetet.
Sulmet nuk u ndalën vetëm te trashëgimia kulturore. Në rajonin e Kherson, bombardimet goditën zona të banuara, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë civile, përfshirë dyqane, farmaci dhe banesa. Katër persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë u plagosën, mes tyre edhe një 14-vjeçar, ndërsa u dëmtuan një shkollë dhe një spital në distriktin Stepanivka.
Situata është e rëndë edhe në Dnipropetrovsk, ku një sulm ndaj një autobusi në qytetin Nikopol la katër të vdekur dhe disa të plagosur të tjerë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë natës Rusia lëshoi rreth 110 dronë, shumica e tipit Shahed. Mbrojtja ajrore ukrainase arriti të neutralizojë një pjesë të madhe të tyre, por dhjetëra goditën objektiva të ndryshëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Shkatërrimi i një ndërtese që i kishte mbijetuar historisë më të errët të Europës, por jo luftës së sotme, është një kujtesë e fortë: kjo luftë nuk po merr vetëm jetë njerëzish – po zhduk edhe kujtesën e një populli.

