Deputeti i AAK-se, Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike, duke e cilësuar atë si një hap të gabuar dhe në kundërshtim me parimet e llogaridhënies.
Në një reagim publik, Tahiri ka theksuar se reforma e administratës publike duhet të ketë një adresë të qartë institucionale, duke përmendur Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike si institucionin përgjegjës për udhëheqjen dhe zbatimin e saj.
Sipas tij, krijimi i një këshilli të ri ministror për këtë qëllim është i panevojshëm, pasi vetë Kabineti Qeveritar funksionon si organ kolegjial vendimmarrës. Ai vlerëson se ky vendim shpërndan përgjegjësinë dhe zbeh llogaridhënien institucionale.
“Kjo nuk është reformë, por regres. Nuk kemi më një adresë të qartë përgjegjësie, por një trup kolegjial ku përgjegjësia humbet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se vendimi rrezikon të nënvlerësojë rolin e ministrisë përkatëse dhe të krijojë paqartësi në procesin e reformës, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të çojë në dështim që në fazën fillestare.
Tahiri ka bërë thirrje që Qeveria të rishikojë këtë vendim dhe të fokusohet në forcimin e institucioneve ekzistuese, në mënyrë që reforma e administratës publike të zbatohet me përgjegjësi të qartë dhe efikasitet më të madh.

