Sot në Bruksel do të mbahet një takim në nivel të kryenegociatorëve të dialogut ndërmjet Kosova dhe Serbia, proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Burime të Tëvë1 bëjnë të ditur se zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku pritet të zhvillojë takim me kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Sipas burimeve, një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë çështja e personave të pagjetur, një prej problemeve më të ndjeshme dhe ende të pazgjidhura nga periudha e luftës, për të cilën familjet e viktimave vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe transparencë.
Ky takim shënon takimin e parë zyrtar në këtë nivel pas vizitave në Kosovë dhe Serbi të Peter Sorensen, i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi. Vizitat e tij në rajon janë parë si përpjekje për ta riaktivizuar dialogun, i cili ka qenë i ngadalësuar muajt e fundit për shkak të tensioneve politike dhe zhvillimeve në terren.
Takimi i sotëm pritet të shërbejë si test i parë për qasjen e re të ndërmjetësimit evropian dhe për gatishmërinë e palëve që të rikthehen në diskutime konkrete, veçanërisht për tema humanitare, të cilat konsiderohen më pak politike, por me peshë të madhe morale dhe shoqërore.
Bashkimi Evropian ka përsëritur se progresi në dialog mbetet kyç për rrugën evropiane të të dyja vendeve, ndërsa çështja e personave të pagjetur shihet si një hap i domosdoshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pajtimit afatgjatë.

