Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, riafirmoi gjatë takimit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, rëndësinë e bashkëpunimit të Beogradit me Moskën në të gjitha fushat, veçanërisht në energji dhe furnizimin me gaz. Takimi u zhvillua në Pekin, ku të dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez Xi Jinping për paradën ushtarake që shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
“Shpresoj që do të kemi mundësinë jo vetëm ta ruajmë, por edhe të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është për ne shumë e rëndësishme dhe furnizimi me gaz është jetik,” deklaroi Vuçiç për transmetuesin publik serb.
Presidenti serb theksoi gjithashtu se Serbia nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë dhe se do të ruajë neutralitetin e saj, pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian. Vuçiç falënderoi Putinin për mbështetjen në ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe për qëndrimin miqësor ndaj popullit serb.
Putin, nga ana e tij, vlerësoi orientimin e pavarur të Serbisë dhe deklaroi se partneriteti strategjik Rusi-Serbi sjell rezultate pozitive si për Moskën, ashtu edhe për Beogradin. Ai njoftoi se deri në fund të vitit do të mbahet një tjetër mbledhje e Komitetit të përbashkët për tregti, bashkëpunim ekonomik dhe shkencor-teknik midis dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Pekin, Vuçiç do të takohet edhe me presidentin Xi Jinping dhe përfaqësues të kompanive të mëdha kineze, ndërsa vizitat e tij vijnë pas kritikave për lidhjet historike të Beogradit me regjime si ato të Rusisë, Kinës, Bjellorusisë, Venezuelës dhe Iranit.
Burimi: REL