Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të premten raportet e paaudituara të deklarimit financiar të partive politike për fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka shpenzuar më së shumti para për fushatën zgjedhore, gjithsej 1 milion e 700 mijë euro, ndërsa pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës me 932 mijë euro.
Nga 932 mijë eurot, PDK-ja shumën më të madhe të parave e ka shfrytëzuar për reklama, reprezentacion dhe konferenca.
Gjithsej 248 mijë euro janë shfrytëzuar nga partia e udhëhequr nga Memli Krasniqi për reklama dhe konferenca, ndërsa përafërsisht 100 mijë euro janë shfrytëzuar për spote televizive dhe reklamime në radio.
Po ashtu 90 mijë euro janë shpenzuar për reklamime në Gazeta dhe banere të ndryshme në qytete.
Totali i shpenzimeve për reklamim nga Partia Demokratike e Kosovës, duke përfshirë spotet televizive, baneret e konferencat, arrin shumën prej 459 mijë euro.
Një shumë të konsiderueshme parash PDK-ja e shfrytëzoi për t’i paguar gjobat e vendosura nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Gjithsej 144 mijë euro janë shpenzuar për pagesën e gjobave.
Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. PDK-ja mori gjithsej 21%.