Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se të premten, më 27 shkurt 2026, do të realizohen punime të planifikuara për sigurinë dhe mirëmbajtjen e sistemit energjetik. Si pasojë, në disa zona të vendit do të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me energji elektrike.
Sipas njoftimit, ndërprerjet do të ndodhin në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Pejën, Gjakovën dhe Gjilanin, ndërsa punimet do të zhvillohen në intervale të ndryshme kohore gjatë ditës.
Në rajonin e Prishtinës, nga ora 10:00 deri në 14:00, pa energji elektrike do të mbeten disa lagje dhe rrugë si: 28 Maji, Azem Bejta, Hyzri Talla, Zona Industriale, një pjesë e Fushë Kosovës, rruga Nëna Terezë, 17 Shkurti, Dardania, Arbëria dhe rruga Prishtinë–Fushë Kosovë. Arsyeja e ndërprerjes lidhet me ndërrimin e një kthine të dëmtuar në rrjet.
Po ashtu, nga ora 08:00 deri në 09:00, ndërprerje do të ketë në Llapnasellë, si dhe në disa pjesë të Çagllavicës dhe Graçanicës, për shkak të zhvendosjes së kabllos në shtyllë ekzistuese.
Në rajonin e Pejës, nga ora 11:00 deri në 14:00, pa rrymë do të mbeten fshatrat dhe lokalitetet: Loxha, Graboc, Raushiq, Lubeniq, Strellci i Ulët dhe disa zona përreth, për shkak të punimeve sipas projektit të miratuar elektro-energjetik.
Në Gjakovë, ndërprerjet do të ndodhin nga ora 10:30 deri në 15:00 në disa fshatra, përfshirë Meje, Madanaj, Ramoc, Rrypaj, Rracaj, Dallashaj, Sheremet, Dobrosh, Pacaj, Nivokaz dhe Molliq, për shkak të pastrimit të trasesë së rrjetit energjetik.
Ndërkaq në rajonin e Gjilanit, nga ora 11:00 deri në 12:00, pa furnizim me energji elektrike do të mbeten Përlepnicë, Bunari i Përlepnicës, Kodra e Përlepnicës, Kmetoc, Kosaqë dhe Shillovë, për shkak të kyçjes së një trafostacioni të ri në projektin Miresh i Vogël.
KEDS apelon te qytetarët për mirëkuptim gjatë kohës së realizimit të këtyre punimeve, duke theksuar se ato janë të domosdoshme për sigurinë dhe funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit energjetik në vend.

